Thaçi fton Qeverinë Kurti, që të përmbush premtimet e dhëna ndaj qytetarëve

Me 66 vota pro dhe 10 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Qeverinë e re.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka mirëpritur votimin e deputetëve për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Thaçi, duke uruar kabinetin e ri qeveritar, ka kërkuar nga “Qeveria Kurti”, të përmbush të gjitha premtimet e dhëna karshi qytetarëve.

Postimi i plotë i Thaçit pa ndërhyrje:

E mirëpres votimin e sotëm të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për krijimin e Qeverisë së re.

Duke uruar kabinetin e ri qeveritar, i ftoj të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore.