Tetovë, ulet ndjeshëm numri i rasteve me virus

Numri i të prekurve me virusin korona është ulur edhe në Tetovë. Për momentin 8 persona janë të shtruar në Klinikë, 7 prej të cilëve me terapi oksigjeni. Nga Qendra për kovid bëjnë të ditur se rënie shënon edhe numri i personave që shkojnë për kontrolle në ambulancë.

“Ndërkohë në pikën rajonale të vaksinave këtu në Tetovë, interesimi për të pranuar vaksinën shkon gjithnjë e në rritje. Nga fillimi e deri më tani, ka kaluar 10 000 numri i atyre që kanë pranuar dozën e parë të vaksinës“.

Motra kryesore e pikës së vaksinimit, thotë se deri më tani, asnjë person nuk është ankuar për ndonjë efekt anësor si rezultat i vaksinës.

Deri më tani jo, asnjë rast nuk kemi pasur me efekte anësore. Në ditë ka që vaksinohen 1200 – 1300 – 900, më pak nuk ka pasur, për dallim prej dy ditëve të para patëm më pak, përndryshe gjithë ditët ka qenë mbi 1000. Prej sot jepet Astra dhe Zeneka, deri dje patëm Sinofarmin – tha Drita Ziberi, motra kryesore.

“Mirë ndjehem momentalisht mirë ndjehem as që e kuptova se pranova vaksinën. Duhet me e marr vaksinën, nuk janë gjithë budallenj e ne të mençur, kjo është një diçka në favor të njeriut”.

“Super ndjehem super, unë 82 vjeç jam tash 83, nuk kam as simptoma anësor asgjë bile punoj ende”.

Ndërkaq pavarësisht premtimeve se do të vihej në funksion së shpeti, spitali modular për kovid në Tetovë nuk është hapur ende.