Tetova vazhdon edhe sot të jetë me ajër të ndotur për shkak djegies së deponisë në komunën e Bërvenicës. Ndonëse dy ditë tetovarët po helmohen nga thithja e tymit, pronari i deponisë nuk lejon ekipet e mediave të xhirojnë. Ai madje ka fyer dhe kërcënuar gazetarët dhe kameramanët në përpjekje për t’i larguar nga vendi i ngjarjes.
Me kërkesë të zjarrfikësve të Tetovës aty erdhi edhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, i cili thotë se do të marrin masat e nevojshme për shuarjen e zjarrit.
“Është karakteristike për të gjitha deponitë që marrin flakë. Shumë vështirë fiken. Për momentin kemi edhe disa deponi tjera aktive në shtet të cilat nuk po mund t’i fikim. Mbrëmë mora ftesë nga komandanti i zjarrfikësve të Tetovës, më lajmëroi se deponia ka marr zjarr dhe se nuk po mund ta fikin. Kemi biseduar me specialistë të deponisë të cilat na kanë thënë se përderisa mbeturina nuk groposen, tymi nuk mund të ndalet sepse tani më shumë nxjerr tym sesa që ndizet, ndërsa tymi është shumë i dëmshëm dhe përveç se ka aromë jo të mirë edhe bën shumë dëm. Është shumë e dëmshme për qytetarët dhe ata nuk duhet të thithin ajër të tillë”, tha Stojançe Angellov – Drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.
Në terren vazhdojnë të qëndrojnë ekipet e zjarrfikësve të Tetovës duke u munduar që të lokalizojnë dhe të fikin zjarrin. Komandanti i njësitit territorial kundër zjarrit, Avni Ameti thotë se deri më tani kanë dërguar mbi 40 maunë më ujë, por që tentimi për ta shuar ka qenë i kotë, duke marr parasysh temperaturat e larta dhe motin e thatë.
“Dihet që kjo deponi ka shkaktuar ajër jo të pastër edhe në Tetovë por edhe në të gjithë pollogun. Ne me çdo kapacitet që kemi mundohemi që ta vendosim në kontroll situatën. Deri më tani kemi arritur diku 40 kamionë të cilët kanë hedhur gjatë gjithë kohës ujë. Kuptohet një kamion ka 10 ton ujë, kështu që kuptohet edhe sasia e madhe e ujit. Siç edhe ceki drejtori, nga ekspertët do të duhet që patjetër këtë deponi ta mbulojmë me dhe. Hapësirë është shumë e madhe, prej 40 mijë metër katrorë”, tha Avni Ameti – Komandat i Zjarrfikësve të Tetovës.
Në terren ishte edhe ekipi i SPB Tetovë të cilët ishin duke hulumtuar rastin se si ka ardhur deri te zjarri dhe nëse zjarrvënia ka qenë e qëllimshme ose jo. Kjo pikë grumbullimi menaxhohet nga një kompani private, emrin dhe pronarin e të cilës nuk mundëm ta sigurojmë për shkak të agresivitetit të pronarit që ishte në terren. Kjo kompani ka edhe leje për menaxhim dhe trajtim të mbeturinave nga Ministria e Mjedisit Jetësorë./TV21