Tetovë, përdhoset pllaka përkujtimore e heroit Mehmet Pashë Deralla (VIDEO)

Kjo pllakë përkujtimore e Mehmet Pashë Derallës gjendet në Kompleksin Arabati Baba Teqe në Tetovë.

Por disa keqbërës, me sprej kanë njollosur me të zezë figurën e heroit kombëtar.

Përgjegjësi i kompleksit Arabati Baba Teqe, Xhemali Sejdiu thotë se nuk e ka parë se kush e ka njollosur me ngjyrë figurën e heroit.

“Të tregoj të drejtën unë e mora vesht kur ju më lajmëruat mua, e kuptova se ka ndodhur diqka me bustin patriotit dhe veprimtarit apo heroit të kombit shqiptarë Mehmet Pash Derallës që gjendet që gjendet në kompleksin Harabati Baba Teqe”, tha Xhemail Sejdiu.

Përveç se është lyer me ngjyrë, kjo pllakë përkujtimore është vendosur edhe në vendin e gabuar thotë Xhemali. Ai disa herë ka parë persona duke kryer nevojat fiziologjike afër pllakës përkujtimore.

“Vijnë njerëz të pa edukatë, unë nuk mund të ju them të gjithë njerëzve, por disa persona që kanë nevojë për të kryer nevojat, dhe ne kemi këtu tualet, por disave ju mërzitet të shkojnë deri në nevojtore dhe mund të shihni edhe vetë së çfarë bëjnë këtu, bëjnë nevojat tek pllaka përkujtimore e heroit”, theksoi Xhemail Sejdiu, përgjegjës i Kompleksit Arabati Baba Teçe.

Pllaka përkujtimore u vendos nga Shoqata e Veteranëve të luftës “Kalaja” në vitin 2008.

“Në vitin 2008 atë përmendore e vendosëm, ne kishim dëshirë që ne vetë si veteran të luftës të gjithë veteranët e kemi punuar me dorën tonë. Gjithçka që është punuar është bërë nga ne. Unë sot e kuptova nga ju se është demoluar. Unë ju siguroj që shumë shpejt do ta riparoj”, tha Izair Samiu, kryetari i Shoqatës “Kalaja”.

Pyetëm edhe Sektorin për punë të brendshme në Tetovë, por ato thanë se nuk është paraqitur një rast i tillë në polici. Mehmet Pashë Deralla u lind më 1843 në Gradec të kazasë së Tetovës, i biri i Hasan pashë Derallës. Ai ishte ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit. Familja e tyre ishte e njohur dhe me ndikim të madh në krahinë. U arsimua në Shkup, Manastir dhe institutet ushtarake në Stamboll. Më 1878 familjarët e tij morën pjesë në mbledhjen e Prizrenit si delegatë të Tetovës. Ndërroi jetë në burgun e Podgoricës, ku thuhet se e helmuan.