Tetova, aty ku bashkohet rreziku për jetë dhe shtyllat elektrike! (FOTO)

Gazetar: Emir Hamzai

Maqedonia vazhdon të përballet me një problem themelor – shtylla elektrike të pasigurta. Kompanitë e shpërndarjes të rrymës elektrike fajësohen nga qytetarët për mirëmbajtjen e dobët të shtyllave të energjisë elektrike. Ky problem duhet të zgjidhet urgjentisht, përndryshe do të ketë pasoja, deri në rrezikimin e jetës tek kalimtarët. Deri më tani Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik dhe MEPSO nuk kanë marrë masa për rregullimin e këtij problemi. Rreziqet rriten shumëfish për shkak të montimit, përçuesve dhe shtyllave të vjetra dhe askush nuk mba përgjegjësi për pasojat e deritanishme.

Qytetarët e Maqedonisë jetojnë në rrezik të vazhdueshëm, për shkak se afër shtëpive dhe në rrugë gjenden shtylla elektrike të cilat janë gati për t’u rrëzuar. Jo vetëm kaq, shumica e shtyllave gjenden në kaos të montimit, gjegjësisht përçuesit përveç se nuk janë të montuara sigurt, ato gjatë erërave të fuqishme këputen dhe përbëjnë rrezik serioz.

Sipas banorëve, mënyra se si janë vendosur shtyllat në rrugë, përveç që nuk janë bërë si duhet, paraqesin edhe rrezik për udhëtarët, sidomos për kalimtarët. Ata fajësojnë Komunën e Tetovës, por edhe kompaninë EVN.

“Fajet i ka edhe komuna, por edhe kompania që shërben. Siç duket as komuna, por edhe kompania nuk i kanë marrë parasysh ankesat e banorëve, sepse këtu bëhet fjalë për rrezik jete. Pakënaqësia ka arritur në kulm, si nga faturat e larta, por edhe me këto problemet teknike që nuk rregullohen njëherë e përgjithmonë. Nëse vjen dikush jo i Tetovës këtu, me gjasë me mënyrën se si janë vendosur shtyllat, Tetova i ngjan ndonjë vendi të shkretë”, deklarohet Bashkim Haziri për Albanews24.

Komuna e Tetovës për problemin me shtyllat elektrike e vë theksin te kompanitë që bëjnë shpërndarjen e energjisë elektrike. Ata për Albanews24 deklarohen se përgjegjësinë duhet ta marrin kompanitë të cilat bëjnë distribuimin e energjisë elektrike.

”Përgjegjësinë për infrastrukturën e rrjetit të transmisionit dhe rrjetit të energjisë elektrike e kanë kompanitë e caktuara të cilat bëjnë distribuimin e energjisë elektrike. Sa i takon rrugëve dytësore me të cilat administrojnë shërbimet komunale, secilës rrugë e cila është shpallur në mandatin tonë të qeverisjes i është bërë projektim edhe për ndriçim publik”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Nga Këshilli Organizativ i protestave kundër shtrenjtimit të rrymës thonë se gjendja e shtyllave elektrike në Maqedoni, në veçanti në Tetovë, tregon neglizhencën, joseriozitetin dhe papërgjegjësinë e EVN-së përballë qytetarëve.

”Shtyllat e amortizuara dhe disa prej tyre të vendosura pranë ballkoneve dhe dritareve të shtëpive, kabllot e rrymës që kanë pamjen e rrjetës së marimangës, janë rrezik permanet për jetën e qytetarëve e në veçanti për jetën e fëmijëve. Kjo e pasqyron më së miri neglizhencën, joseriozitetin dhe papërgjegjësinë e EVN-së përballë qytetarëve!”, thotë Krenar Osmani nga Këshilli Organizativ.