Tensione në veri të Kosovës/ Policia përleshet me protestuesit serbë në Zveçan

Policia e Kosovës hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë një grup qytetarësh që u mblodh në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në përpjekje për të penguar kryetarin e sapozgjedhur shqiptar për të hyrë në zyrën e tij.

Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërsa në vendngjarje u panë edhe automjete të ndihmës së shpejtë. Sipas një njoftimi të policisë, pesë zyrtarë policorë atje pësuan lëndime trupore.

Autoritetet e Kosovës fajësuan “strukturat kriminale dhe ilegale” të Serbisë për përshkallzimin e situatës.

“Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, shkroi në Twitter Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani.

I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar, ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë.

Ky vendim u mor për shkak të situatës në Kosovë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.