Rama: Kjo që po ndodh në Kosovë, nuk e sjell njohjen nga Serbia

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në komunat veriore të Kosovës.

Rama ka thënë se zhvillimet e fundit nuk e ndihmojnë Kosovën në proceset ku janë angazhuar miqtë e mëdhenj, transmeton Telegrafi.

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar”, thotë kryeministri Rama.

Tutje, ai ka shkruar “Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndryshe, Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.

Paraprakisht, Policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve./Telegrafi/