Tender i dyshimtë në “Ekonominë e Ujërave”?! Një zarf ishte hapur para procedurës së tenderit

Shoqata Aksionare “Ekonomia e Ujërave” ka shpallur tender për pastrimin e shtratit të lumit Pçinjë te fshati Katllanovë. Në të, janë paraqitur dy kompani. Tenderin e mori kompania në dokumentet e së cilës nuk kishte numër arkivor.

“Duhej të hidheshin poshtë të dyja. I them – dokumenti zyrtar duhet të kalojë përmes arkivit, pse nuk e kupton.

-Ngrita zërin, por në fund më thanë – hesht, mbylle gojën, prandaj isha i detyruar të tërhiqem”, tha anëtari i komisionit.

TV21 kontaktoi kryetarin e komisionit, por ai nuk deshi të flasë para kamerës. Në bisedë telefonike konfirmoi se kompania që ka marrë tenderin nuk ka pasur numër arkivor. Këtë gjë, ai e arsyeton duke thënë se për kompanitë me më pak se 50 të punësuar nuk nevojitet numër arkivor. Por, çka thonë juristët për këtë temë:

Me të vërtetë qesha nuk ma bëtë këtë pyetje. Si është e mundur që dikush ta dijë nëse në një zarf të mbyllur bëhet fjalë për një kompani me më shumë ose më pak se 50 të punësuar? Këtu shohim paragjykime të caktuara për gjëra të tjera të cilat nuk dua t’i komentoj, por nëse është dhënë një deklaratë e tillë, me të vërtetë është qesharake”, tha avokatja Mimoza Saltirova.

Sipas avokates Saltirova, procedurat janë këto:

“Të gjitha dokumentet që janë verifikuar nga ana e organit të dakorduar që e shpalli procedurën për furnizim publik, dorëzohen në zarf të mbyllur me shënim për cilën procedurë të tenderit është. Por, nuk guxojnë të shihen ose të lexohen të dhënat e personit që paraqitet në cilësi të ofruesit. Por ky person i cili aplikon duhet të ketë numër të arkivit, përkatësisht në drejtorinë shtetërore ku është filluar procedura e tenderit, duhet të verifikohet çdo dokument që e kanë pranuar. Ky person që i ka dorëzuar dokumentet në mënyrë të rregullt duhet të posedojë numër të arkivit”, shtoi Salltirova.

Kompania e dytë “Om-ta” një herë ka qenë e diskualifikuar me arsyetim se i mungon ndonjë dokument. Nuk u është dhënë as procesverbal, kështu që tani nuk kanë bazë mbi të cilën mund të dorëzojnë ankesë. Por pronari i “OM-TA-së” akuzon për parregullsi që para fillimit të procedurës së tenderit.

“Kur e morën zarfin tim, ishte e dukshme se i njëjti është i hapur. I thashë komisionit që ta ndërpresë procedurën, për shkak se zarfi është hapur. Nuk më dëgjuan dhe vazhduan më tutje.  Vërejtjen që ma dhanë ishte se mungon vërtetim se nuk ka procedurë falimentimi për kompaninë, dokumente që i jep Regjistri Qendror në pako, jo një nga një, kështu që nëse mungon një dokument, do të mungojnë të gjitha dokumentet”, tha Sadik Liçina, pronar i kompanisë OM-TA.

Për këtë rast e kontaktuam edhe drejtorin e SHA “Ekonomia e Ujërave” Llokman Limani i cili nuk deshi të fliste para kamerës. Ai na u përgjigj përmes mesazheve duke thënë se ndaj tij dhe komisionit kishte presione nga kompania që nuk e ka marrë tenderin, madje ishin thirrur në MPB. Pronari i “OM-TA-s” mohon.

“Shkova në drejtorinë kryesore te drejtori që të ankohem, më pranoi dhe tha se do ta thërrasë komisionin që ta njoftojnë me rastin pas çka ai do të sjellë vendim. Tha se nuk ka kompetenca dhe se kompetencat i ka Mitko Kostadinovi. Ai nuk ishte i pranishëm dhe nuk mundeshim ta gjejmë dhe ta kontaktojmë”, shtoi Liçina.

TV21 u përpoq që të kontaktojë edhe me Kostadinovin, për të cilin thonë se ka ndikuar mbi procedurën e tenderit, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve tona.

Përndryshe për Mitko Kostadinovin që në 2018 disa media publikuan lajm se ndaj tij është ngritur padi penale për abuzim të detyrës zyrtare për ndikim mbi procedurat e tenderëve. Si drejtor i atëhershëm ekzekutiv i SHA “Ekonomia e Ujërave”, 11 kompanive u ka dhuruar tenderë./TV21