Ten Hag kërkon opsione në mesfushë, holandezi mendon per lojtarin e Atalantës

Sezoni i Manchester United po rezulton tejet i ndërlikuar për “Djajtë e Kuq”. Trajneri Erik ten Hag ende nuk po mundet t’i japë një fizionomi të qartë skuadrës ndaj edhe vazhdimësia në rezultate mungon duke bërë që United të jetë larg vendeve të para në Premier League.

Problemet fizike të disa futbollistëve kanë bërë të vetën, ndaj në janar tekniku Ten Hag kërkon të shtojë opsionet në mesfushë.
Emri që po qarkullon së fundmi është ai i Ederson, lojtarit të Atalantës. Braziliani shihet si një alternativë për Casemiron apo edhe për Mason Mount që kanë shfaqur probleme fizike.

United kërkon ta huazojë 24-vjeçarin, ndërsa nga ana tjetër, kanë nisur edhe negociatata e para me agjentin e lojtarit. Ndërkohë, ende nuk ka kontakt mes dy klubeve, por sipas asaj që raporton “Goal”, në ditët e ardhshme kjo ide mund të shndërrohet në një plan konkret dhe të nisin bisedimet mes anglezëve dhe italianëve.

 

Ederson iu bashkua Atalantës në vitin 2022 nga Salernitana dhe në këtë sezon po rezulton shumë i rëndesishëm për Gasperinin duke e nisur si titullar në 17 ndeshje nga 18 të luajtura në Serie A.

Kartoni i Ederson i kushtoi Atalantës milionë paund, por tashmë të gjithë në Bergamo presin të përfitojnë shumë më tepër nga shitja e mundshme e mesfushorit. 24-vjeçari ka një kontratë të vlefshme me Atalantën deri në vitin 2026.