Telash serioz për Pirlon, “tulipani” i mbrojtjes mungon deri në nëntor

Foto IPP/Jonathan Moscrop/CSM via ZUMA Wire Torino 11/07/2020 Calcio Campionato di Serie A 2019/2020 Juventus-Atalanta 2-2 nella foto Matthijs De Ligt of Juventus - WARNING AVAILABLE ONLY FOR ITALIAN MARKET - Italy Photo Press -

Nis me një problem serioz përvoja e parë e Andrea Pirlos si trajner. 41-vjeçari, i sapoemëruar në krye të Juventusit, nuk do të jetë në gjendje të llogarisë Matthijs De Ligt në fillimin e aventurës së tij në stolin e Juventusit. Pa dyshim që do të jetë një mungesë e rëndësishme për trajnerin e ri të Juventusit, por në fakt dihej që do të vinte ky moment.

Mbrojtësi holandez ka luajtur me një problem të bezdisshëm në shpatullën e djathtë për pjesën më të madhe të sezonit e duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale. Dëmtim ky që e ka shqetësuar për herë të parë 20-vjeçarin nëntorin e kaluar gjatë një ndeshjeje të luajtur në Bergamo, kundër Atalantës.

Ishte i detyruar të sakrifikonte edhe për shkak të mungesave të gjata në mbrojtjen bardhezi, fillimisht të Giorgio Chiellinit dhe më pas të Demiralit. De Ligt ka duruar dhimbjet për muaj të tërë, por tani është koha për ta zgjidhur problemin një herë e përgjithmonë.

Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport “, gjatë kësaj jave “tulipani” do t’i nënshtrohet operacionit për ta stabilizuar shpatullën dhe më pas do të fillojë një proces të gjatë rehabilitimi që do të zgjasë rreth tre muaj. Kthimi i tij është planifikuar për në mes të nëntorit, që do të thotë se ai do të humbasë dy muajt e parë të sezonit të ri, që nis me Pirlon trajner.