“Tek Atletico që kur isha 6 vjeç”, kapiteni: Dua të vazhdoj të luaj këtu

Koke ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Atletico Madrid, por rinovimi nuk është një problem për kapitenin, i cili gjatë viteve ka refuzuar oferta të ndryshme për t’i qëndruar besnik skuadrës së zemrës.

Mesfushori 31-vjeçar, idhull i tifozëve “Colchoneros” dhe një lojtarët kyç për Diego Simeonen, foli për Marca në lidhje me kontratën e re, duke theksuar se nuk e vret mendjen për një gjë të tillë.

“Ju tashmë e dini idenë dhe filozofinë time të jetës: unë jam tek Atletico që kur isha 6 vjeç. Dhe dua të vazhdoj të jem këtu. E njoh mirë situatën e klubit. Sa herë që nevojitej ndihmë, unë kam qenë i pari që kam ndihmuar Atleticon.

Dëshira ime është e qartë, por jo gjithçka varet nga unë. Sigurisht që unë nuk dua të bëhem barrë për klubin”, u shpreh kapiteni, i cili me Atleticon ka fituar 8 trofe, mes tyre dy La Liga dhe dy Europa League, ndërkohë që ka humbur dy finale të Champions League.

Koke debutoi në verën e vitit 2013 me kombëtaren e Spanjës, fanellën e së cilës e ka veshur 70 herë deri tani. Xavi, trajneri aktual i Barcelonës, e cilësonte vite më parë si pasardhësin e tij në mesin e fushës.