“Te Reali për historinë”, Bellingham: Me presionin jam rritur, nuk jam si anglezët e tjerë!

Jude Bellingham është goditja e madhe e Real Madrid në merkato, të paktën deri në këtë moment. 20-vjeçari u transferua në kryeqytetin spanjoll nga klubi i Borussia Dortmund teksa madrilenët paguan plot 103 milionë euro për shërbimet e lojtarit të kombëtares angleze.

Por, pavarësisht shumës së shpenzuar apo pritshmërive të jashtëzakonshme që tifozët në Santiago Bernabeu kanë për mesfushorin, vetë Bellingham shprehet se atij nuk i bën aspak përshtypje presioni dhe se me të ka “bashkëjetuar” prej moshës 15-vjeçare. Ndër të tjera, mesfushori shton se te Real sheh mundësinë që të bëhet pjesë e historisë së klubit, por edhe historisë së futbollit pasi me Los Blancos kërkon të fitojë titujt më të rëndësishëm.

“Përmasat që ka një klub si Real Madrid janë të jashtëzakonshme. Por, ajo që më bindi vërtet për t’u transferuar ishte projekti sepse e di që jam në vendin e duhur. Për mua është një shans që të jem pjesë e historisë, dua të fitoj shumë trofe sepse kjo është edhe arsyeja që klubi firmosi me mua. Dua që ta ndihmoj Realin të vijojë të jetë i madh.

Presioni te Reali? Presioni më ka ndjekur kudo, e ndjeja atë që te Birmingham në moshën 15 apo 16-vjeçare. Deri tani kam treguar se e menaxhoj shumë mirë dhe nëse do të isha një tip që nuk e përballoja atë, me siguri që nuk do të isha duke veshur fanellën e Real Madrid. Eksperienca ime ka qenë shumë e ndryshme nga lojtarët e tjera anglezë. Kam luajtur në tre shtete të ndryshme në tre vitet e fundit, por kurrë në Premier League. Jam shumë krenar për rrugëtimin tim”, u shpreh Bellingham.