Të paktën 102 civilë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit, sipas OKB-së

Të paktën 102 civilë janë vrarë në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin e saj, me 304 të tjerë të plagosur, ka thënë shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet.

Bachelet tha se shifrat reale kishte frikë se do të ishin “dukshëm më të larta”.

Ajo tha në seancën hapëse të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë: “Shumica e këtyre civilëve u vranë nga armë shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave me shumë lëshime, dhe sulmet ajrore. Shifrat e vërteta janë dukshëm më të larta”.

Më parë, një raport nga një ekip monitorues i OKB-së për të drejtat e njeriut konfirmoi se ka pasur 376 viktima civile në Ukrainë, duke përfshirë 94 të vdekur, gjatë tre ditëve luftime, shkruan Skynews, transmeton Klankosova.tv.

Bachelet tha se rreth 422,000 ukrainas janë larguar nga atdheu i tyre me shumë të tjerë të zhvendosur brenda vendit.