Të mësuar me erën e gjakut njerëzor!

Nga Kim Mehmeti

Gjinisë njerëzore kurrë nuk i kanë munguar vrasës të të gjitha llojeve, përfshi edhe ata më të neveritshmit – vrasësit e fëmijës në prehrin e nënës së pambrojtur.
Vrasës fëmijësh nuk mungojnë as sot dhe pafajësinë e tyre e vrasin në Ukrainë, në Jemen, në Siri, në Afganistan…
Por thuajse askund jo si në Gaza ku vrasësi i fëmijëve palestinezë, duartrokitet, arsyetohet, merret me të mirë dhe ledhatohet?!
Edhe atë në emër të së drejtës së Izraelit që të mbrohet nga armiku, por pa treguar nëse kjo e drejtë u takon edhe palestinezëve dhe se kush do i mbrojë fëmijët palestinez nga terrori izraelit?
Dhe në ndërkohë, askush nuk e shtron pyetjen më monstruoze: edhe sa fëmijë palestinezë duhet vrarë që Izraeli të ‘ngihet’, që ta merr hakun për të vrarët e vet të pafajshëm dhe ta përmbush planin ndëshkues?!
Po, barku i këtij planet është i fryrë me varreza të panumërta masive dhe kjo tokë kujton gjenocide të përmasave të ndryshme, por për herë të parë ndodh që një masakër si ky i sotmi në Gazë, të bëhet me pëlqimin e botës ‘humane’ e të ‘civilizuar’, të botës që beson se ndërgjegjja pastrohet me disa maune ndihmë humanitare!
Dhe ku ta dish, mbase tani më është vonë të flitet për pashpirtësinë e vrasësve të pafajësisë fëmijërore dhe gjinia njerëzore – e lodhur nga ecja e gjatë udhës drejtë ferrit – mbase edhe është mësuar me erën e gjakut njerëzorë dhe nuk mundet pa të. (Kim Mehmeti)