Të mbrohet Maqedonia e Veriut

Nga Halil Matoshi

Të heshtësh derisa sheh se si hegjemonizmave ballkanikë po u rritën kthetrat duke marshuar kundrejt më të vegjëlve, është si të biesh në shtratin e Prokrustit.

Të mos ngrihesh në mbrojtje të idesë europeane në Shkup, e të luash spektatorin tek i ndukin mishin Maqedonisë së Veriut, është historikisht e padrejtë, moralisht e dyshimtë dhe politikisht opurtune.

Vetoja bullgare integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, është shprehje e një imperializmi të vonuar dhe bizar ballkanik.

Shtetet e vogla të kombeve të mohuara nga ana e “kombeve etnike e kulturore, natyrale e biologjistike”, si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, por edhe Austria, Libani, Zvicra etj. seç më ngjallin simpati!?

Ato kanë marrë kursin idipedent përballë imperializmave etnikë, sëkëndejmi në këto kohët e fundit jam hapur në anën e Maqedonisë së Veriut! Pse?

E kam kritikuar ngarendjën e maqedonasve për vjedhje e vjelje të historive të Maqedonisë antike dhe Qeveritë (sidomos ato të viteve ‘90 si dhe atë të Nikola Gruevskit) i kam cilësuar klerofashiste!?

Sepse ka diçka që nuk shkon në nacionalizmin e vonshëm maqedonas!?

Nuk mund të jesh një maqedon sllav e në raport me shqiptarët të marrësh anën e serbëve dhe njëkohësisht të pretendosh narrativën e Maqedonisë së Filipit të II.

Ky ishte kurthi ku kishin rënë maqedonët fillimisht?

Dhe kur dëgjon bullgarë, shqiptarë, grekë e serbë tek i vërsulën Maqedonisë vardariane si shtet/komb i konstruktuar, nuk ke qare pa u solidarizuar me kombin e ri maqedonas dhe të rreshtohesh kundër hegjemonizmave ballkanikë.

Sepse të gjitha kombet janë konstrukte!

Porse sot, kur Shkupi zyrtar e pranoi të drejtën shqiptare dhe pretendimin grek, duke bërë koncensione të mëdha fqinjëve për hir të idesë euro-atlantike, nuk ke si të mos dalësh në mbrojtje të Shkupit zyrtar, kur të pakënaqur me identitetin maqedonas mbetën bullgarët paternalistë, grekët e megaliidesë, shqiptarët mohues dhe serbët putinistë!

Porse, maqedonët simpatikë, në kēto momente, duhet të jenë mirënjohëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që për shtetin, janë në anën e tyre!?

Përderisa shqiptarët me Marrëveshjën e Ohrit janë komb shtetformues dhe secila konjukturë qeverisëse varet nga ta, nuk e kuptoj idenë e shefit opozitar të VMRO-së Hristijan Mickoski që mësyn t’i provokojë shqiptarët!?

Porse edhe pala shqiptare atje, përdor për ngjarjet narrativë epike, të tillë që ato realisht nuk e kanë:”Me armë u mbrojt Skënderbeu”, thanë.

E bukur për këngët popullore, porse ishte thjesht një parullë!

Dhe fake!

Shqiptari Isuf Koka ka kercënuar me armë turmën, e cila sipas pretendimeve të tij, i kishte dëmtuar pronën, derisa shtatorja e Skënderbeut nuk është cënuar!

Shtatoret mesjetare, ky është ai rrafshi më ikonik i ngjizjës së identiteteve kombëtare në Ballkan, të cilat çojnë tek ideja e kombit etnik, që është fatale për silidarësinë qytetare dhe shtetin modern.

Nëse kalojmë në rrafshin teorik, maqedonët janë etnikisht bullgarë por që janë “njësi e rritur” (Dominique Schnapper) komb!

Ndërsa shqiptarët kosovarë janë etnikisht shqiptar porse po e ndërtojnë kombin kosovar!?

Në realitet Sofja zyrtare nuk po e mohon direkt ekzistencën e kombit maqedonas, siç e mohon pamëdyshje Shqipëria çfarëdo mundësie të krijimit të kombit të shtetit, atij kosovar!

Bullgaria poashtu ka vërejtje tek “vjedhja” e historisë nga maqedonët, e zyrtarisht vë kusht për gjuhën maqedonase si substrat i bullgarishtes dhe pranimin e pakicës kombëtare bullgare prej rreth 3500 vetësh.

Duket numër i papërfillshëm, porse duke pasë parasyshë se rreth 80 mijë vetë në Maqedoni të Veriut kanë passaporta bullgare del se ideja e bullgarizimit të ngadaltë nuk përkon gjithaq me Kartën Europeane të të drejtave të pakicave, sa më dobësimin e identitetit maqedonas!?

Shqipëria dhe Kosova qëndrojnë në një peshore historike të ngjashme me atë të bullgarëve dhe maqedonasve, porse shqiptarët kosovarë dhe liderët e tyre politikë (pos një dore teorikësh) nuk kanë asnjë kërkesë kundrejt Shqipërisë, as për gjuhën e historinë, as për politikën dhe për asgjë tjetër.

Por kjo nuk do të thotë se interesat etnike gjithmonë do të jenë të përputhshme me ato shtetërore dhe kombëtare. Ato mund të ndryshojnë varësisht nga kontekstet integruese euro-atlantike, rendin botëror dhe globalizimin

Pramendojeni jetë vitit 2028 dhe Shqipëria, tashmë anëtare BE-së i vë veto Kosovës për anëtarësim në bllok!? Arsyeja: “Vjedhja” e historisë!

Ashiqare, kombet e reja sulmohen rëndom për këso vjedhjeje!?

Në politikë ndonëse nuk ka vëllazëri e miqësi të përjetshme. Ka interesa që shteti-komb i definon qartë dhe ndërmerr veprime për zbatimin e tyre.

Duke pasur parasyshë faktin se Shqipërisë Londineze i janë vënë themelet në Lidhjën e Prizrenit (1878) atëherë i bie që Kosova nuk ka të drejtë të përvetësojë këtë ngjarje!?

Pastaj vijnë me radhë, gjuha shqipe, mospërdorimi i flamurit kombëtar shqiptar si simbol cerenonial dhe “fshirja” e tërë historisë së Rilindjës!

A nuk do të ishte diçka vërtet bizare!?

Po, sepse Kosova është bashkëprodhuese e asaj historie etnike, të përbashkët, shqiptare deri më 1912, kur ra nën pushtimin serb.