Të martën mbahet seanca konstituive e Këshillit të Komunës së Kumanovës

Seanca konstituive e Këshillit të Komunës së Kumanovës do të mbahet të martën me fillim në ora 12, në sallën e madhe në objektin e ish-Komitetit.

Në rend dite do të jenë gjithsej pesë pika dhe e para do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit verifikues për verifikimin e mandateve të anëtarëve të Këshillit të Komunës së Kumanovës.

Më pas do të vijojë verifikimi i mandateve dhe më pas raporti i Komisionit të Verifikimit.

Pika e tretë e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit për çështje të mandateve, zgjedhjeve dhe emërimeve.

Pika e katërt parasheh zgjedhjen e kryetarit të Këshillit, ndërsa pika e fundit përcakton se cilët këshilltarë do të marrin pjesë gjatë lidhjeve të martesave në komunë.

Ende nuk dihet se kush me kë do të bëj koalicion, ndërsa negociata zgjasin deri të hënën.

Tani për tani është paralajmëruar se për kryetare të Këshillit do të propozohet Ivana Gjorgjievska nga Iniciativa Qytetare “Për Kumanovën tonë”, për të cilën do të kërkohet mbështetje nga të gjithë këshilltarët.