“Të gjithë jemi të mërzitur me sjelljet e tij”, ish-legjenda e Real Madridit kritikon Viniciusin

Vinicius Junior ishte lojtari që bëri diferencën në fitoren e Real Madridit ndaj Real Sociedadit të shtunën, duke shënuar dhe duke fituar një penallti.

Sidoqoftë, nuk është paraqitja e tij në fushë ajo që ka bërë njerëzit që të flasin, por sjelljet e tij.

Jo për herë të parë, Vinicius është kritikuar për provokimin që i bën tifozëve kundërshtar. Pasi shënoi golin e parë, ai përmes gjestit të tij i bëri thirrje tifozëve të Sociedadit që të heshtin dhe kjo ka shkaktuar mjaft zemërim.

Në mesin e tyre ishte edhe ish-lojtari i Real Madridit, Pedja Mijatovic, i cili e kritikoi brazilianin në një intervistë për Marca.

“Ai hodhi gurë në çatinë e tij. Ai hedh gurë dhe këtë e bën duke ditur gjithçka që po ndodh rreth tij. Ai duhet ta marrë këtë hap, të qetësohet paksa”.

“Ne jemi shumë të lumtur me golin, por pastaj ishim shumë të zhgënjyer me festimin. Pse ju duhet kjo? Ata janë shumë të lënduar. Unë flas për shumë madrilenë: Ne të gjithë e duam atë, por jemi të mërzitur me sjelljet e tij”, ka thënë Mijatovic.

Vinicius po vazhdon të jetë një figurë polarizuese, por çfarë është e sigurt është se Real Madridi është absolutisht i kënaqur me paraqitjet e tij.

Ata me shumë mundësi do të tentojnë më të mirën e tyre për ta mbrojtur atë sa më shumë që të jetë e mundur.