“Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur” – Ancelotti godet Barcelonën, ua përmend skandalin e Negreiras

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka goditur Xavi Hernandez dhe Barcelonën pas komenteve të tyre për ndeshjen kontroverse ndaj Almerias.

Pas disa vendimeve të diskutueshme të VAR-it në fitoren me rezultat 3-2 të Real Madridit ndaj Almerias xhiron e kaluar, Xavi kishte thënë për mediat: “Të gjithë e keni parë se çfarë ka ndodhur, do të jetë e vështirë ta fitojmë këtë ligë”.

Më vonë gjatë asaj jave, kishte reaguar edhe Joan Laporta i cili kishte dhënë një deklaratë edhe më të fuqishme pasi gazetari Gerard Romero i publikoi audio incizimet e dhomës së VAR-it të asaj ndeshje.

“La Liga është falsifikuar dhe VAR-i është marrë peng”, kishin qenë fjalët e presidentit të Barcelonës.

Ancelotti pretendoi se kjo ishte një mënyrë dinake e Barcelonës për të larguar vëmendjen nga skandali i Jose Negreiras, që e ndoqi Barcelonën për disa vite.

“Këtë javë ata kanë folur shumë. Unë mendoj njësoj siç kam thënë më herët, nuk më pëlqen të hyjë në këto diskutime. Ne nuk duhet të shpërqendrohemi nga problemi kryesor. Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur në 23 vitet e fundit në futbollin spanjoll, këtu është probelmi”, ka thënë Ancelotti.

“La Liga nuk është e falsifikuar, futbolli spanjoll ka pasur një problem. Tani autoritetet anti-korrupsion të zyrës së prokurorit dhe policia janë duke bërë një hetim mbi të dhe ne duhet të presim. Ne nuk duhet të shpërqendrohemi nga çështja kryesore”, përfundoi italiani.

Real Madridi do të luajë nesër (e shtunë) në udhëtim ndaj Las Palmas, në përpjekje për të vazhduar me rezultate pozitive në ligë dhe në hap me rivalët e tjerë.