Taulant Xhaka ndihet i tradhtuar nga Baseli

Tri javë më parë, ishte Granit Xhaka që sulmoi ashpër ish-klubin e tij – Baselin në Instagram.

“Duhet të keni turp!!”, kishte shkruar anëtari i Arsenalit nga Londra në drejtim të kryesisë së klubit zvicran.

CH Media ka zbuluar se ka jo pak tension mes Taulant Xhakës dhe Baselit dhe kjo mund të qojë në ndarjen e rrugëve.

Pengesë është kontrata e 31-vjeçarit. Xhaka ka një klauzolë në kontratë që i jep të drejtën që të rinovojë marrëveshjen automatikisht deri në vitin 2025 nëse aktivizohet për një numër të caktuar ndeshjesh.

Për të ndryshuar kontratën, lojtarit shqiptar iu afrua një marrëveshje e re që do të hynte në fuqi nga 2024 dhe e cila parashikonte që pasi të mbyllte karrierën, ish-mesfushori i kombëtares të bëhej trajner i të rinjve. Xhaka dukej parimisht dakord, për sa kohë që do të luante deri në vitin 2025.

Sipas Blick, Xhaka nuk fiton 1.3 milion euro në sezon të raportuara nga CH Media, por është një nga fituesit më të mëdhenj në skuadrën e Baselit.

Kjo nuk përshtatet në strategjinë e kursimeve të klubit që ka probleme të ndjeshme financiare.

Sipas CH Media, Baseli shprehu synimin e tyre për ta kthyer klauzolën e njëanshme në një dypalëshe. Përveç Xhakës, edhe klubi zviceran do të duhej të pajtohej për vazhdimin e karrierës së lojtarit deri në vitin 2025. Në të njëjtën kohë, Xhaka mësoi se do të kishte vetëm një rol mbështetës pas sezonit aktual.
Kjo marrëveshje me siguri do të nënkuptonte se koha e Xhakës në klub do të përfundonte në vitin 2024. Gjë që Xhaka nuk e dëshiron. Dhe kjo bije ndesh me premtimin fillestar të drejtuesve të klubit se ai do të luante deri në fund të marrëveshjes.

Nuk është hera e parë në epokën e Degenit që lojtarët dhe ata përreth tyre ankohen për mungesë respekti dhe ndershmërie.