Tatum me paraqitje fantastike, Celtics marrin fitore me 41 epërsi ndaj Bucks

Vetëm dy ndeshje janë zhvilluar mbrëmë në elitën e basketbollit amerikan NBA.

Vëmendja padyshim se ka qenë në Fiserv Forum të Milwaukeet, ku Bucks janë mposhtur para adhuruesve të vet nga Boston Celtics me 41 pikë diferencë 99:141.

Ka qenë një ndeshje ku mysafirët e dominuan nga çereku i parë e deri në fund, madje epërsinë më të lartë e patën 49 pikë gjatë ndeshjes.

Jayson Tatum ka qenë i jashtëzakonshëm në këtë sfidë pasi e mbylli atë me 40 pikë, tetë kërcime e një asistim.

Me lojë të mirë u dallua edhe Jaylen Brown që shtoi 30 pikë, pesë kërcime e pesë asistime.

Te vendasit më i dalluari ishte Giannis Antetokounmpo me 24 pikë, por që nuk mjaftuan për të shmangur humbjen e thellë në këtë sfidë.

Dueli tjetër i mbrëmjes ka qenë ai mes Denver Nuggets dhe New Orleans Pelicans, ku mysafirët fituan me rezultat të thellë 88:107.