Taravari thotë se nuk ka bisedime për hyrje në Qeveri

U.d. kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari tha se për momentin nuk ka negociata me koalicionin qeverisës për futjen e ASh-së në ekzekutiv, përcjell TV21. Taravari tha se në momentin që do të ketë diçka do të informohet publiku.

“Nuk ka bisedime, nëse ka, do të dalim para jush dhe do të themi gjithçka që ka. Ne do të mbështesim ndryshimet kushtetuese për vendosjen e etnikumit bullgar në Preambulën pa marrë parasysh nëse do të jemi pjesë e Qeverisë, ose do të jemi opozitë. Kur do të ketë bisedime do të ju informojmë dhe do të jemi maksimalisht transparentë”, tha mes tjerash Taravari.

I pyetur se cilët resorë do të merrte ASh në Qeveri, Taravari tha se nuk flet për këtë pjesë deri sa nuk ka bisedime.

“Unë di se ka edhe 7-8 ministra që janë me emra dhe mbiemra të cilat tregohen si ministra të ardhshëm të Aleancës për Shqiptarët, ju them me plot përgjegjësi se asgjë nuk ka të saktë prej asaj”, tha mes tjerash Taravari.