Talenti uruguajan në fokus, dy klubet e mëdha europiane “bëjnë xing” në merkato

Chelsea dhe Paris Saint-Germain janë “përplasur” në merkato teksa të dy klubet interesohen për futbollistin e Sportingut të Lisbonës, Manuel Ugarte. 22-vjeçari është shndërruar këtë sezon në një prej liderëve të ekipit portugez teksa vendos rregull në repartin e mesfushës. Në këtë formë, uruguajani është vendosur në qendër të merkatos dhe pritet që sezonin e ardhshëm të zbarkojë në Londër ose në Paris.

Në fakt, parizienët janë ata që kanë nisur hapat e parë drejt konkretizimit të marrëveshjes me Ugarten teksa i kanë ofruar Sportingut disa opsione për të paguar kartonin e lojtarit. Kjo sepse kaluzola në kontratën e Ugartes është 60 milionë euro dhe për momentin, francezët nuk janë të gatshëm ta paguajnë menjëherë këtë shumë.

Nga ana tjetër, Chelsea është duke monitoruar nga pranë situatën dhe nuk kanë marrë ende hapa konkret, kjo sepse “Blutë e Londrës” kanë edhe opsionin për të transferuar Moises Caicedo të Brighton që ka një plus të madh sepse e njeh mirë Premier League.

Megjithatë, Ugarte vlerësohet si një talent me pritshmëri të lartë dhe që në Angli mund të ndjekë hapat e Bruno Fernandes, i cili “emigroi” në ishull pikërisht nga Sportingu i Lisbonës duke u shndërruar në lider të Manchester United. Por, në mes është PSG dhe e ardhmja nuk mund të parashikohet me francezët që për momentin janë para Chelseat në këtë garë.