Braziliani bën me “dhimbje koke” Ten Hag para finales, tekniku: Dëmtimi është serioz!

Manchester United nuk toleroi në “Old Trafford” Chelsean duke mposhtur “Blutë e Londrës” me shifrat 4-1, teksa pas këtij trepikëshi, “Djajtë e Kuq” siguruan kualifikimin për në Champions League. Por, jo gjithçka shkoi mirë për skuadrën e trajnerit Erik ten Hag duke qenë se në pjesën e parë, Antony u detyrua të braktiste fushën e lojës si pasojë e një dëmtimi.

Pas sfidës, tekniku holandez konfirmoi se dëmtimi i bazilianit është serioz dhe se duhet pritur për analizat e detajuara për të kuptuar nëse sulmuesi mund të jetë i gatshëm për finalen e FA Cup ndaj Manchester City më datë tre qershor.

“Nuk di çfarë të them me saktësi, të gjithë e panë që Antony e kishte të pamundur për të vazhduar ndeshjen. Ajo që dihet për momentin është se bëhet fjalë për një dëmtim serioz dhe se duhet pritur të paktën 24 orë para se të kuptojmë më shumë detaje”, u shpreh Ten Hag.

Kujtojmë se Antony u transferua te Manchester United për shifrën e 95 milionë eurove nga Ajax në merkaton e shkuar verore teksa pas një starti të vështirë, 23-vjeçari së fundmi kishte nisur të ambientohej me futbollin britanik duke rezultuar si një prej titullarëve fiks të “Djave të Kuq” dhe nëse konfirmohet mungesa e tij në finalen e FA Cup ndaj Cityt, atëherë për skuadrën e Ten Hag do të ishte një humbje e madhe.