Takohen Osmani dhe Vuçiq, Borrell insiston në zgjedhje të reja në veri

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i është bashkuar thirrjes së Francës dhe Gjermanisë për ta mbajtur zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës. Ai tha se përveç kësaj, kërkohet të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në procesin zgjedhor dhe të fillohet puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nëse ka dështim për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell në Twitter.

Në fotografinë e publikuar nga shefi i diplomacisë së BE-së shihet se në Moldavi kishte takim të përbashkët mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciqit, dhe liderëve të Francës e Gjermanisë.

Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron.

Ai shtoi shtoi se u kërkua që të ketë pjesëmarrje nga banorët lokalë të komunitetit serb dhe tha se “palët do të konsultohen dhe do të kthehen javën tjetër me përgjigje të qarta”.

Osmani e konfirmoi se Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ia bënë këtë kërkesë gjatë takimit të tyre në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, dhe shtoi se u tha atyre që “ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale”.

Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Vuçiqi e theksoi edhe rëndësinë që ka themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë për të.

Ndësa, Osmani tha se “duhet të sigurohemi që fokusi është në implementimin e plotë të marrëveshjes dhe jo vetëm të disa pjesë të saj”./REL