Takim Osmani – Balla: Bashkëpunim i shkëlqyer bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot, realizoi takim me Taulant Ballën, koordinator i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili e udhëheq delegacionin parlamentar të Shqipërisë, në përmbërjen e të cilit janë edhe Etilda Gjonaj, nënkryetare e Komisionit për Çështje Integruese, disa deputetë të tjerë, si dhe Vasil Sterjovski, kryetar i Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian.

“Në takim u shpreh kënaqësi për bashkëpunimin e shkëlqyer bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, përfshirë edhe planin e deritanishëm të bashkëpunimit parlamentar” thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Fokusi, qëndron në kumtesë, u vendos në fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe ndikimin e pritshëm të këtij procesi në të dyja vendet, por edhe në rajonin në tërësi.

Në këtë kontekst, është konfirmuar përkushtimi dhe vendosmëria e fuqishme që e lidhin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në zbatimin e reformave të nevojshme në rrugën drejt integrimit evropian.