Ta ndryshojmë politikën që na i zbrazi shkollat dhe vendbanimet

Mersel Bilalli
Atmosfera për ndryshime sikur bëhet e qartë gati në çdo mjedis. Masovisht, rrini e entusiazmuar si rrallëherë më parë këta 30 vite, palodhshëm punojnë për ndryshime. Jo se dikend adhurojnë apo preferojnë si të jenë yje estradash, pasi ata shpejt shuhen, por thjeshtë duan ta shpëtojnë atë që ka mbetë nga vetvetja. Duan ta këthejnë dinjitetin, respektin dhe shpresën elementare. S’ka vrasje më mizore se dikujt t’i vritet shpresa. Duan ta kthejnë bindjen e kahmotshme se politika, normat dhe institucionet janë për interesin kolektiv, e jo për kidnapues individual. Kur këto i privatizoni apo personalizoni, atëherë populli e kaplon mjerimi dhe gjithçka që shkon në shoqëri me të keqen. Te ne për dekada këta komponenta u vunë në shërbim privat, madje duke u shndërrua në servis të krimit të organizuar. Sikur u bë praktikë ajo se po të doni të keni gjithçka – duhet të mos keni shpirt.
Kjo zbrazi shkolla, lagje, fshatra e qytete, duke i shndërrua në skenografi filmash tmerri. Dindje kolektive e kremit të popullit, pasi askush s’ofroj kurfar projektesh zhvillimore. Një popull i tërë pagoi çmim jetik që një grusht partiakësh të përjetojë jetën e Holivudit, që si terapi e zezë u nevojitej për shërim të komplekseve nga zbraztira shpirtërore. Pra, gjendja u zhvillua proporcionalisht naivitetit tonë. Lumturia individuale e do të sëmurëve zhduku nga dheu lumturinë kolektive të shumë të shëndoshëve. Disa as që kanë kapacitet mental të dijnë se sa vlerë të madhe ka ndjenja e lumturisë kolektive. Ata nuk mund ta kuptojnë ndjenjën e kënaqësisë kur shumkush ndjehet i lumtur. S’ka lumturi më të madhe se kur i keni të gjithë të afërmit para syve që ua bëjnë jetën aq normale. Por, sa vlenë tani ajo lumturi individuale e dhuruar nga djalli, që ka dëbuar aq shumë ëngjuj nga këtu!? Ata s’e dine se ajo energji negative shkon gjer te një zenit kosmik dhe shumfish i kthehet autorit. Nëse je bë argat i veprave të djallit, shumë shpjet edhe vet do të jeshë i shndërruar në djall. Kur nuk shef populli ke çdo gjë, por kur do i kthehen sytë, s’do kesh kurgjë.

Çka duhet bërë pas zgjedhjeve?
Duhet bërë ate që edhe fiset më primitive të Amazonisë e bëjnë. Veprim me përgjegjësi, ndërgjegje e moral dhe gjithësesi profesionalizëm. Pa kto s’mund të jemi as qenie e thjeshtë, e lere më njerëz e popull. Çdokujt duhet t’i hulumtohen pronësia, madje edhe ajo fiktive në emër të dajëve, hallave e tezeve, e pastaj shkojmë mëtutje. Prej politikanëve, gjykatësve, prokurorëve dhe gjithë funksionarëve tjerë qendror e lokal. Pa këte punë vetëm se do mbërrijmë në rrethin e nëntë të “Ferrit të Dantes”. Pa këtë punë, pa dilemë se do e shlyejmë një popull nga dheu.
Përcjelli fushatat dhe sikur diçka më mungon ta dëgjoj. Çka dhe si duhet të veprojnë pushtetarët e rijë nëse vijnë në pushtet? Mallkimi i djallit nuk është zgjidhje pasi ai përjetë është i mallkuar. Djalli nuk duhet të mallkohet, por duhet të mundet me shumë punë ndryshe. Pra, opozita që mund të bëhet pushtet dua të na bind se si do e zbusin (jo, ta kalojnë) këtë gjendje kaotike, që së paku ajo pak rini që na kanë mbetur mos të na ikë. Cilaj janë ato projekte zhvillimore në çdo fshat e qytet që do hapin vende të reja të punës? Nëse ekspertët kinez thuajnë se me stanardin ekzistues këtu mund të mbajnë 50 milion banorë, atëherë si ta gjejmë atë defekt serioz që e kemi që s’mundemi as tre për qind të asaj popullate të mbajmë!? Cilat janë ato të meta aq të mëdha që dëbuan çdo gjë që merrë frymë nga këtu!?
Pa dilemë se po të kishtë vullnet dhe ideal për popull, krejt do ishtë ndryshe. Do hapeshin vende të reja pune në ekonomi e shërbime. Uji i pishëm që me bollëk është këtu, në tregjet botërore ka çmimin më të lartë se nafta e papërpunuar, por rrallë kujt jashtë monopolit i jepet koncesioni. Pra, qëllimi është xhepi e ortakia. Bujqësia dhe blegtoria moderne mund të ushqejnë një pjesë të madhe të Evropës, në vend se të harxhojmë mbi 800 milion euro në vit për import ushqimi, por kush ta menaxhoje këte kur gjithçka është e lidhur me kushtëzime. Falje dhe respekt përjashtimeve. Por, do “jeniçerë” pa ndjenja elementare ia kanë bë popullit të vet ate që as armiku shekullor s’mundi. Do ekspert turk janë të mendimit se miliarda euro në logjikën e partneritetit publik-privat do mund të investoheshin për zhvillimin e turizmit rural (ajr të pastërt, produkte ekologjike) dhe turizmit malor- në rend të parë qendra të mëdha skijimi, që në Sharr paska mbi 20 terene të përshtatshme që mund të thithin investitorë nga jashtë.
A biseduan ndonjëherë së paku me veten këta njerëz (nëse s’e besojnë Zotin), se përse erdhëm në këtë gjendje!? Shkollat në rrethinën e Gostivarit dhe Tetovës për rreth gjashtë herë janë pakësuar krahasuar me 20 vite më parë. Shkolla e Çegranit që në vitin 2000 kishte afro1400 nxënës, tani ka vetëm 350. Po të mos ndodhte “Kovidi” ndoshta vetëm 200. Ku ka ndodhë diku tjetër këso ekzodi në botë!? A do e bëjkan kryeministër shqiptar!!! Me këte tempo eksodi për 20 vite të ardhme këtu do mbeten vetë do udhëheqës me kryeministrin, ama pa shqiptar.
Andaj s’ka nevojë e gjithë koha të humbet vetëm me kritika, pasi situatën e di gjithkush. Aq më pak ka nevojë për mllef, pasi mllefi nuk është aleat i mirë në asnjë lëmi. Por, si më tutje? Rinia që ka mbet pret diçka krejt ndryshe. Pret një sistem elementar ku i pari nuk do jetë i fundit dhe anasjellë. Pret shteti të bëhet servis i çdokujt që do angazhim. Pret jetë të qëndrueshme dhe të humanizuar. Pret perspektivë të barabartë nga e cila për vite është privuar. “Nëse kjo nuk do ndodhë, terrorizmin do e kemi këtu dhe une do e përkrahi” – më thotë një mik i imi i vjetër që njihet si i vendosur në bindjet e veta dhe i cili kësaj radhe angazhohet për ndryshime. Pra, mos ta mendoj dikush se kësaj radhe lehtë do shkeli mbi këte energji rinore.