Szunyog takohet me serbët në veri: Diskutuam për sfidat nga rregullorja e BQK-së

 

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, njofton se takoi përfaqësuesit e Qendrës Spitalore Klinike dhe shkollës “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut dhe se diskutuan për sfidat operative me të cilat përballen pas Rregullores së Bankës Qendrore për operacionet me para të gatshme, një vendim ky, siç tha, i pakoordinuar, i cili nuk iu komunikua paraprakisht popullatës së prekur.

“Ky vendim së bashku me çështje të tjera të kahershme kanë prekur seriozisht popullatën serbe të Kosovës dhe komunitetet tjera në mbarë Kosovën dhe pengojnë ofrimin e shërbimeve bazë. Çështje të tilla duhet të adresohen urgjentisht në formatin e dialogut në interes të popullit”, tha ai në platformën X, raporton Klankosova.tv.

Po ashtu, ambasadori i BE-së në Kosovë njoftoi se ka vizituar nënstacionin e Vallaqit dhe qendrën e “Elektroseverit”, i cili ka iniciuar faturimin e konsumit të energjisë elektrike në veri të Kosovës. “Është një hap i rëndësishëm përpara në procesin e normalizimit. U bëj thirrje njerëzve që të regjistrojnë orëmatësit e tyre dhe të fillojnë të paguajnë faturat e tyre”, shkroi Szunyog.

Ai gjithashtu shtoi se takoi edhe përfaqësuesit e kompanisë së telefonisë MTS d.o.o. për të biseduar për sfidat aktuale operative dhe planet e ardhshme të zhvillimit.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog gjatë takimit me përfaqësuesit e MTS d.o.o.. Foto: X
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog gjatë takimit me përfaqësuesit e MTS d.o.o. Foto: X

Në këtë rrjet social, gjatë ditës ambasadori ka shkruar edhe rreth ndërrimit të shenjave të komunikacionit në veri të vendit.