Haziri pas deklaratave të Escobarit: Në një vend demokratik nëse qeveria s’bie me dorëheqje, bie në forma të tjera

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar deklaratat e emisarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se ka shumë zhgënjim me Qeverinë Kurti, jo vetëm në Uashington por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris.

Haziri tha se deklarata e Escobarit ka zbardhur pikën më të ulët të raporteve që ka sot Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti, me qeverinë amerikane, NATO-n, BE-në dhe me fqinjët e saj.

“Qeveri jo-kompetente, e cila nuk planifikon efektet e vendimit të saj. Në një vend demokratik, nëse qeveria nuk bie me dorëheqje, bie në forma të tjera”, shkroi Haziri, transmeton Klankosova.tv.

Escobar gjatë ditës në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka folur edhe më për marrëdhëniet që administrata amerikane i ka me Qeverinë Kurti, duke potencuar faktin se tash e tri vjet s’ka asnjë takim të nivelit të lartë me askënd prej qeverisë me administratën Biden.

“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane. Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, tha Escobar.