Sveçla: Nuk e dimë se ku janë duke u mbajtur policët! Kurti: Jemi në kontakt për të vizituar policët që u kidnapuan nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë në kontakt me Shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jasharin, për t’i vizituar tre policët pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që u kidnapuan dje nga forcat serbe dhe u dërguan në Serbi.

“Jemi në kontakt me Jetish Jasharin që është udhëheqës i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd. Jemi në kontakt për të bërë vizita në burgjet ku po mbahen policët tanë”, tha Kurti në konferencën e jashtëzakonshme për media.

Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme në Ksoovë, Xhelal Sveçla tha se nuk dihet ku janë duke u mbajtur policët e kidnapuar.

“Faktet janë të qarta ata kanë qenë në territorin e Kosovës, janë duke u zhvilluar hetime të detajuara me të gjitha faktet që janë, dëshmitë janë të mjaftueshme se ka qenë një operacion mirë i organizuar, mund të them lirisht se në zonat kufitare cili do shtet mund të ndërmarr kundër shtetit tjetër nuk është diçka e paarritshme’’, tha Sveçla në konferencën e mabjtur për media pas mbledhjes së Këshillit të sigurisë.

Sveçla shtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë vepër, derisa shtoi se përgjegjësia për vijën kufitare është e KFOR-it.