Tre marinarë indianë, të cilët ishin raportuar të zhdukur, kanë humbur jetën pasi ushtria amerikane goditi një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, ka njoftuar të enjten një ministër federal indian.
Anija cisternë “MT Settebello”, me flamur të Palaut, është sulmuar të mërkurën pasi ushtria amerikane e ka akuzuar se nuk po respektonte “urdhrat e forcave amerikane”. Në bord ndodheshin 24 anëtarë ekuipazhi indianë, prej të cilëve 21 janë shpëtuar.
Në një postim në rrjetin X, ministri indian i Transportit Detar, Sarbananda Sonoëal, e ka quajtur incidentin “thellësisht fatkeq”, duke shtuar se trupat e tre marinarëve do të kthehen së shpejti në Indi.
Pas sulmit të së mërkurës, qeveria indiane ka thirrur në ministrinë e Jashtme, zëvendësshefin e misionit amerikan në Neë Delhi.
Ushtria amerikane ka akuzuar anijen “Settebello” për shkeljen e bllokadës amerikane duke “u përpjekur të transportonte naftë nga Irani”.
Në një postim në X, Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka thënë se një avion ka goditur anijen pasi ekuipazhi “në mënyrë të përsëritur nuk kishte respektuar udhëzimet e dhëna”.
Kjo është anija e dytë me ekuipazh indian që është sulmuar nga SHBA-ja këtë javë. Të hënën, forcat amerikane kanë goditur cisternën e naftës “Marivex”, gjithashtu me flamur të Palaut dhe me ekuipazh indian, në Gjirin e Omanit, pasi nuk kishte respektuar udhëzimet amerikane, sipas Centcom.
Autoritetet indiane kanë thënë se të 24 anëtarët e ekuipazhit të Marivex janë shpëtuar nga ushtria e Omanit.
Ushtria amerikane ka bllokuar hyrjen në portet iraniane pasi Teherani zyrtar ka mbyllur praktikisht Ngushticën e Hormuzit përmes së cilës para luftës transportohej rreth 20% e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.
Sipas Centcom, forcat amerikane kanë neutralizuar tetë anije dhe kanë devijuar 134 të tjera që nga fillimi i bllokadës më 13 prill.
Qeveria indiane ndërkaq ka deklaruar se “sulmet ndaj transportit tregtar dhe infrastrukturës civile në rajon duhet të ndalen”.
Ndërkohë, tensionet mes Iranit dhe SHBA-së nuk tregojnë shenja zbutjeje. Të dy vendet kanë shkëmbyer sulme për të dytën ditë radhazi të enjten, duke shtuar presionin mbi armëpushimin e brishtë të arritur në prill.
Të mërkurën, presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do ta godiste Iranin “fort”, duke thënë se Teherani zyrtar po vonohej shumë për të nënshkruar një marrëveshje paqeje dhe po i “merrte amerikanët për budallenj”.



