Sulejmani për Grubin: Përgjegjësia kolektive nuk mund të kthehet në fajësi individuale!

Emir Sulejmani ka reaguar lidhur me rastin e Artan Grubit, duke theksuar se në këtë proces nuk është në pikëpyetje vetëm fati i një individi, por edhe standardi i drejtësisë.

“Nuk mund të individualizohet një përgjegjësi që pretendohet si kolektive, e aq më pak kur as përgjegjësia kolektive nuk është dëshmuar se ekziston”, ka shkruar Sulejmani.

Sipas tij, drejtësia nuk mund të funksionojë duke kërkuar një person mbi të cilin të rëndojë e gjithë përgjegjësia, por duhet të bazohet në fakte, prova dhe përgjegjësi të dëshmuar individualisht.

“Drejtësia nuk bëhet duke kërkuar një emër mbi të cilin të rëndojë gjithçka. Ajo bëhet me fakte, prova dhe përgjegjësi të dëshmuar individualisht”, thekson Sulejmani.

Duke iu referuar drejtpërdrejt Grubit, ai kërkon që procesi ndaj tij të jetë i drejtë, transparent dhe i pandikuar nga politika apo presioni publik.

“Për Artan Grubin kërkojmë atë që duhet t’i garantohet çdokujt, proces të drejtë, transparent dhe të pandikuar nga politika e presioni publik. Jo gjykim paraprak. Vetëm drejtësi”, ka shkruar Emir Sulejmani.