Sudan, disa të vrarë dhe të plagosur në protestat kundër grushtit të shtetit

Së paku tre persona raportohet se kanë vdekur dhe rreth 80 janë plagosur, pasi ushtarët qëlluan mbi turmat që kundërshtonin grushtshtetin ushtarak në Sudan. Protestuesit dolën në rrugë, pasi forcat e armatosura shpërndanë të hënën sundimin civil, arrestuan liderët politikë dhe shpallën gjendje të jashtëzakonshme.

Trupat raportohet se shkojnë shtëpi më shtëpi në kryeqytetin Kartum, për të arrestuar organizatorët lokalë të protestave. Udhëheqësi i grushtshtetit, gjenerali Abdel Fattah Burhan, tha se aksioni ushtarak është bërë si pasojë e luftimeve të brendshme politike.

Burhan tha se forcat e armatosura duhet të mbrojnë sigurinë dhe premtoi mbajtjen e zgjedhjeve në korrik të vitit 2023, për t’ia dorëzuar pushtetin qeverisë së zgjedhur civile.

“Ajo që po kalon vendi tani, është një kërcënim dhe rrezik real për ëndrrat e të rinjve dhe shpresat e kombit”, tha ai.

Udhëheqësit civilë dhe homologët e tyre ushtarakë janë në mosmarrëveshje qëkur sundimtari veteran i Sudanit, Omar al-Bashir, është rrëzuar nga pushteti, dy vjet më parë. Grushtshteti u dënua në të gjithë botën, ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të pezullojnë 700 milionë dollarë ndihma për Sudanin.

SHBA-ja i dënon fuqishëm veprimet e forcave ushtarake sudaneze, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke bërë thirrje për lirimin e kryeministrit të Sudanit, Abdallah Hamdok, dhe të liderëve të tjerë civilë.

Blinken tha se veprimet e ushtrisë së Sudanit kanë potencial “të prishin tranzicionin e këtij vendi drejt demokracisë dhe janë një tradhti ndaj revolucionit paqësor të Sudanit”.

Ai tha se arrestimi i udhëheqësve civilë “është i papranueshëm” dhe se forcat ushtarake “duhet të garantojnë sigurinë e tyre dhe t’i lirojnë menjëherë”.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm të drejtën e popullit sudanez për t’u tubuar në mënyrë paqësore, në mbështetje të demokracisë. Ai shtoi se SHBA-ja është “shumë e shqetësuar” nga raportet se forcat sudaneze të sigurisë kanë përdorur municion të vërtetë kundër protestuesve paqësorë.

Ministria e Kulturës dhe Medias e Sudanit, në një deklaratë në Facebook, iu referua të shtënave fatale me armë zjarri, por nuk e specifikoi numrin e të vdekurve.

Agjencia e lajmeve Reuters citoi një zyrtar të paidentifikuar të Ministrisë së Shëndetësisë në Sudan të ketë thënë se shtatë persona janë vrarë në protesta. Demonstruesit i bllokuan rrugët me grumbuj tullash dhe goma të djegura. Aeroporti i Kartumit është mbyllur dhe fluturimet ndërkombëtare janë pezulluar. Interneti dhe shumica e linjave telefonike janë ndërprerë gjithashtu.

Stafi i Bankës Qendrore të Sudanit thuhet se ka hyrë në grevë, ndërsa mjekët në të gjithë vendin raportohet se refuzojnë të punojnë në spitalet ushtarake, përveç rasteve urgjente.

Sudani ka qenë në një rrugë të brishtë drejt demokracisë qëkur protestat popullore, të udhëhequra nga Shoqata e Profesionistëve Sudanezë, kanë çuar në përmbysjen ushtarake të autokratit shumëvjeçar, Omar al-Bashir, në vitin 2019.

Pas rënies së Bashirit, udhëheqësit ushtarakë dhe civilë kanë rënë dakord për ndarjen e pushtetit – një marrëveshje që do të çonte në tranzicion drejt sundimit të plotë civil dhe zgjedhjeve.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të diskutojë me dyer të mbyllura për Sudanin, gjatë ditës së martë./ REL

Top Channel