Struganët nuk dënojnë vrasjen e qenve endacakë! Merko: Qeveria të marrë masa, është turp për shtetin

Vrasja e qenve endacak në Strugë bëri bujë të madhe në vend javën e kaluar, por jo të gjithë qytetarët ndjejnë dhimbje për ta dhe nuk e dënojnë veprën e kryer.

“Tmerr, mua më kapën këtu tek ndërtesa e re dhe mu lëshuan të gjithë dhe thash nëse më kafshojnë le të më kafshojnë, çfarë të bëj. Edhe unë të kisha pushkë do t’i kisha vrarë të gjithë”.

“Po ruhem por kemi frikë patjetër, nuk e di se nga do të vijë, shikojmë ja kështu ecim por nuk e di se ku të pret”.

“Unë nuk frikësohem sepse i di çka janë qentë por ka njerëz që frikësohen”.

“Unë nuk frikësohem por për ligjin nuk e di si është nuk duhet t’i vrasësh, kjo është me ligj ka drejtësi”.

“Kemi frikë si të mos kemi edhe i vogël të jesh edhe i madh të jesh do të frikësohesh, ata janë qen endacakë. (NGJITJE) E arsyetojmë vrasjen e qenve”.

Kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko është i mendimit që kjo situatë do të gjente zgjidhje vetëm nëse Qeveria ndryshon ligjin dhe merr masa sepse në të kundërtën është trup edhe për shtetin.

“Të shihet se situata është alarmante, jo vetëm në Strugë por në gjithë shtetin. Me këtë situatë nuk mund të ballafaqohen komunat sepse nuk kanë resurse profesionale që të mund t’i trajtojnë qentë endacak. Ne kemi bërë kërkesë për ndryshimin e ligjit për mbrojtje të kafshëve me çka apelojmë deri tek qeveria se kjo do të zgjidhet vetëm në mënyrë institucionale nëpërmjet institucioneve të qeverisjes qendrore”.

Merko kërkon që një orë e më parë qeveria të sjellë ligj që Agjencinë për veterinari në nivel shtetëror të merret me zgjidhjen e problemit të qenve endacakë. Merko thotë se në ditë në Strugë 2 apo 3 qytetarë kafshohen nga qentë.

“Apeloj deri te qeveria qendrore që sa më shpejtë të zgjidhet ky problem sepse ky nuk është vetëm rrezik për banorët por është trup për shtetin”.

Javë më parë një person me pushkë vrau disa qenë endacakë në Strugë. Ky qytet nuk është i vetmi që përballet me këtë problematikë, sepse thuajse në çdo qytet tjetër ka numër të madh të qeneve endacakë.