Strakosha afër transferimit në Premier Ligë

Thomas Strakosha është shumë pranë që të kompletojë një transferim si lojtar i lirë te skuadra e Fulhamit, pasi që ka arritur marrëveshje personale me klubin anglez.

Portieri i Kombëtares së Shqipërisë do të largohet nga Lazio, pas plot 10 vitesh në klub, pasi që t’i përfundoj kontrata aktuale muajin e ardhshëm.

Siç raportohet nga gazetari i njohur, Gianluca Di Marzio, Fulhami ka arritur marrëveshje personale me Strakoshan, ku shqiptari do të jetë pjesë e anglezëve për katër vitet e ardhshme.

Vetëm detajet e fundit tani kanë mbetur për tu shqyrtuar deri sa transferimi të bëhet zyrtar nga të dy palët.

Strakosha bëri 207 paraqitje për Lazion që kur u transferua në verën e vitit 2012, duke ndihmuar skuadrën të fitonte dy tituj të Kupës së Italisë dhe dy të Superkupës italiane.

Gjatë kohës së tij ‘Stadio Olimpico’, ai pësoi 244 gola dhe mbajti 62 porta të paprekura, duke marrë 15 kartonë të verdhë dhe asnjë karton të kuq.