Statusi i veteranit shqiptar në ‘dërzhavën Severna’!

Shkruan: Medai Shaholli
Kujtesë dhe retro

(Ku ta dija unë i varfëri!)

Edhe sot pas dy dekadash, shumë nga luftëtarët e lirisë së ish UÇK-së në ‘dërzhavën Severna’ që kapën armët për liri më 2001, për anologji të rastit ndajnë të njëjtin fat me përshkrimin e poezisë së mëposhtëme ku e paraqet shqiptarin luftëtar të braktisur dhe të lënë anash.

Aty përshkruhet gjendja e mjerueshme e luftëtarit të lirisë se pa e ditur se do të trajtohet si armik nga ish shokët e idealit pasi u ndanë rrugët e tyre, ku njëri grup pranoi ofertat e pushtetit dhe përdhosjen e dinjitetit kombëtar për hir të pushtetit dhe karrierës, kurse grupi tjetër ngeli në mëshirën e fatit dhe i njollosur nga ish shokët e tyre si ekstremist!

Poezia shkruar nga një autor anonim siç është Kiço Spiri, ku ai aty godet (pa e ditur se kjo do të ndodhte për anologji edhe me veteranët e UÇK-së bashku) duke drejtuar gishtin e akuzës ndaj udhëheqësve shqiptarë të një kohe tjetër edhe pse nuk ishte shkruar enkas për komandantët dezertorë të UÇK-së, por për analogji të rastit, përkon me ata pushtetarë dhe komandantë shqiptarë që pas luftës i denigruan, i vranë me tradhti pas kurrizit, i burgosën dhe i lanë në mëshirë të fatit bashkëluftëtarët e tyre të konfliktit të 2001.

Kështu, ‘elita e luftës çlirimtare’ që tashmë kishin marrë pozita të larta në hierarkinë e pushtetit, lanë në baltë ish shokët e tyre pasi ata kokëfortët të pandreqshëm ekstremistë, nuk u pajtuan me MO dhe statusin politik të dorës së dytë për shqiptarët.

Pas konfliktit ata i shpallën ekstremistë dhe të papërshtatshëm për kohën e paqës, pasi ata nuk pranuan statusin e skllavit me nofkën e 20% në MO.

Kjo poezi me nota therëse për pushtetarët megjithëse nuk është shkruar enkas për luftëtarët e UÇK-së, i përgjigjet pikërisht statusit të pacaktuar të veteranëve dhe luftëtarëve të ish UÇK-së në ‘dërzhavën Severna’ të mbajtur fakeqësisht në këmbë me paterica shqiptare.

Deri tani dëshmorët e UÇK-së në konfliktin e 2001, fatkeqësisht nuk gëzojnë status të rregulluar social dhe janë ilegalë nga ana e ‘dërzhavës’ dhe pushteti demokratik!

Ata nuk mund të kenë asnjë monument përkujtimi dhe krenarie për shokët e tyre nëpër qytetet me shumicë shqiptare në mbarë vendin, por vetëm nëpër fshatra, larg syrit të ‘branitellëve’ apo sa më larg komitëve dhe titistëve, për të cilët vendosja e monumenteve të dëshmorëve të UÇK-së nëpër qendrat urbane, për ta ‘paraqet provokim dhe mosdurim të ndjenjave nacionale’ të bllokut tjetër.

Kjo është logjika e robit dhe e nënshtrimit nga ana e pushtetarëve shqiptarë që kanë pranuar në këto dy dekada pas konfliktit, të përdhos jo vetëm kujtimin dhe gjakun e sakrificës së dëshmorëve të rënë për liri, por edhe dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare si popull dhe veteranët e UÇK-së me amblemën së saj si simbol i lirisë.

‘Branitellët’ e bllokut tjetër e kanë të zigjidhur statusin e tyre social për vete dhe për familjet e tyre ndërsa familjet e veteranëve të UÇK-së në asnjë mënyrë nuk njihen si të tillë sepse dërzhava nuk i njeh ata si luftëtar të lirisë por si rebel që vetëm i ka amnistuar për shkak të presionit ndërkombëtar për arritjen e paqës.

Dëshmorët e UÇK-së dhe veteranët e saj nuk janë të barabartë me ‘branitellët’ e bllokut tjetër dhe nuk
kanë status social dhe mirënjohje siç kanë ‘armiqtë e dikurshëm’ të tyre pasi ‘dërzhava’ dhe qeveria e koalicionit me ‘poshteni allbanci’ brenda saj nuk i njeh ata, ajo njeh vetëm ‘branitellët’ si mbrojtës të shtetit dhe asnjë formacion tjetër ushtarak brenda saj.

Dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë nuk munden të kenë monumentet e tyre në qytetet nga ata vijnë pasi partitë shqiptare nuk duan ta prishin ‘jaraninë’ me pushtetin me këto ‘provokime’ që shkaktojnë ndjenjën e mosdurimit dhe nxitjes së nacionalizmit për bllokun tjetër!

Kështu p.sh., pranë urës së Drinit në qendër të Strugës do të mbetet i zbrazët bazamenti edhe për dekada të tëra për vendosjen e monumentit të ‘komandant Strugës’ Nuri Mazarit, pasi këtë monument nuk e duan aty komitët e VMRO-së dhe titistët e rinj të SDSM-së, që nga Struga deri në Shkup.

Komandant Strugën pranë Drinit nuk e do asnjë qeveri që vjen në pushtet as e majtë dhe as e djathtë, por as partitë shqiptare të gjitha së bashku, kanë dhënë prova të lojalizmit dhe të servilizmit të paparë si ‘poshteni allbanci’, duke hequr dorë nga vendosja e monumenteve për luftëtarët e lirisë dhe të gjithë dëshmorëve shqiptarë të ish UÇK-së, pranë shesheve dhe lulishteve në qendrat urbane.

Ata liderucët shqiptarë tashmë janë pajtuar me denigrimin dhe përdhosjen e dëshmorëve të lirisë dhe veteranëve të UÇK-së, për shkak të pragmatizmit politik dhe leverdive pas karrierës dhe pushtetit me të cilin ato janë lidhur fortë si mishi me kockën.

Nëse Faik beu për shqiptarët thoshte me pa të drejtë ‘Shq… të kam dhj… s’të kuptova asnjëherë’!
Ndërsa ne shqipot e ‘Severnës’ na shkon të themi kësisoj; ‘Partiçka politike dhe liderucë shqiptarë (që vetëm shqiptare nuk janë) u kemi dhj…!

Ndaj, shqiptarët nuk kanë pse të çuditen me partiçkat dhe liderucët tanë për qëndrimet e tyre ndaj çështjes kombëtare ata tashmë kanë bërë zgjidhjen e duhur duke bërë pakt me djallin, ku zotimet nëpër fushata elektorale janë vetëm blof i radhës dhe demagogji.
Ataliderucët tanë tashmë janë bërë njësh me bllokun tjetër dhe nuk qëndrojnë dot pa njëri-tjetrin, për më tepër ata janë si sapuni me shparcën!