Status Quo!

Arben Taravari

Ende vazhdon pandemia, pavarsisht se tashmë jemi në një fazë tjetër të saj, falë Zotit më pozitive për pjesën dërrmuese të shteteve ku përfshihet edhe Maqedonia. Jemi në një kohë ku ka nisur aksioni i ashtuquajtur i lehtësimit të masave. Një nga sektorët që ka pësuar goditjen më të rëndë nga “mbyllja” e shteteve ka qenë pikërisht Turizmi. Kur nisën bisedimet e para, thuajse nën zë si pëshpërimë, për largimin e disa rregullave kufizuese, turizmi ishte një tabu që as guxohej të përmendej. Mirēpo si duket këndvështrimet do të ndryshonin shpejt, si shpesh ka ndodhur gjatë kësaj periudhe, dhe kështu vendet anëtare të BE-së kanë filluar thonë me zë të lartë e pa droje se duhet shpëtuar të paktën një pjesë e turizmit. Për këtë qëllim këto vende kanë vendosur që të hapin kufijtë me njëri-tjetrin e për të nxitur vizitat reciproke, sigurisht nën kushte të reja pandemike, por gjithsesi lëvizje do të ketë. Gjithë kjo çështje ka ndezur debate të forta politike, sepse BE-ja duket se le jashtë hartës le të quajmë “të sigurisë”, jo vetëm shtetet jo anëtare të saj, por edhe disa që janë anëtarë të familjes së saj, duke i konsideruar si kërcënuese për rindezje të shifrave të CIVID-19. Në gjithë këto hamendësime, vendime dhe kundërshti, ç’ka është e qartë si qielli i korrikut, ēshtë paraliza insitucionale e Maqedonisë, e cila edhe pse e ndodhur në një situatë tepër të rëndë, edhe pse e përjashtuar si disa shtete të tjerë fatzezë që kanë bërë shumë gabime dhe ndaj sot janë të dënuar të jenë jashtë BE-së, rri e pret në diell duke luajtur si gjithnjë me jetën e qytetarëve të saj. Nuk shohim asnjë inciativë konkrete nga shteti që të stimulojë një nisje të vrullshme të bizneseve, por shikojmë se si e ka kthyer Filipçen si një lloj zëdhënësi të Qeverisë. Edhe pse numrat e infeksionit ulen, edhe pse varfëria rritet, asgjë nuk ndryshon, përveçse çdo ditë del komunikata e ministrit të Shëndetësisë i cili është i vetmi aktiv prej kur ka filluar pandemia. Sigurisht që kjo punë është e drejtë deri diku, por ndërkohë të gjithë të tjerët, ministria e kam fjalën, paguhen!!! Bëjnë mbjedhje online nga shtëpitë lukzose apo zyrat e tyre, por në terren populli nuk ka më as borxh ku të marrë, ndërkohë që këta e marrin rrogën deri në denarin e fundit. Po këta gjumashë që presin grurin të çelë dimrit, a kanë menduar ndonjëherë që pjesa më e madhe e popullit janë me fare pak denarë të ardhura në këto kohë të vështira?! Është e thjeshtë të llogaritet kjo punë, mjafton të shikosh se sa e lartë është papunësia në Maqedoni, mjafton të shikosh se sa veta jetojnë me rroga minimale?! Pjesa më e madhe e këtyre qerratejve që e dredhin pushtetin si tespi në duart e një plaku të moshuar, kanë aq rezerva mënjanë sa mund të durojnë me qejf 4 a 5 pandemi, por ata që ju a kanë grabitur votën, i kanë lënë si peshku pa ujë! Edhe pse ka ndonjë ministër që e bën punën mirë, duket sikur duhet të mbrohet nga UNESCO se duket si fenomen i rrallë sidomos në këtë moment që duket se shtetin e ka zënë letargjia. Vera ka trokitur tashmë, mirëpo shteti nuk ka asgjë konkrete përsa i përket hapjes së sektorit të turizmit. Ndërkohë që shtete me shifra shumë më shqetësuese të pandemisë po programojnë saktësisht çeljen e sezonit turistik, kurse disa shtete të tjerë e kanë nisur verën. Hapja e kufijve ndër-ballkanik do të ishte një hap i duhur dhe që po vonon të bëhet. Kufijtë u mbajtën hapur në një kohë kur nuk duhej dhe i dhanë virusit mundësinë të pushtojë botën, kurse tani që duket se bota dalëngadalë po nis të çohet, ne jemi prapë të vonuar.
Sipas një raporti të para disa ditëve bota ishte 56% më e varfër se më para COVID-19. Kjo nënkupton që shumë fonde të cilat më përpara na ndihmonin disi (shumica shkonte për biznese të pushtetarëve, por të paktën diçka për të mbijetu populli mbetej), as këto fonde nuk do të akordohen më! Pandemia ia mbledhur rripin gjithë botës. Të ardhurat e mërgimtarëve që mbeten dhe furnizuesi më i madh i këtij shteti me para, detyrimisht do të jenë më të vogla, shkurt do të ketë shumë më varfëri se përpara 11 marsit të 2020-ës. Shteti si punëdhënësi më i madh edhe në kohën prepandemike, kishte dështuar në punësimim e qytetarëve të tij, duke e kthyer këtë të drejtë të njerëzëve në një aset koruptiv, ose duke formuar atë që mund të quhet “tregun e errët të punësim-votimit”, e jo më tani, që papunësia është problem mbarë botëror. Pra, duhet zgjuar urgjentisht nga kjo qetësi shkatërruese, dhe ashtu si do të thoshte Barack Obama duhet të dalim në terren, të shohim mundēsi dhe rrugëdalje konkrete dhe të mos shijojmë komoditetin kohëshkurtër e të padrejtë të lukseve që të jep pushteti. E theksoj fort që falë Zotit ka ndonjë ministër që bën përjashtim, por pjesa tjetër është një grumbull paaftësh që krihen ndërkohë që fshati digjet!
Në shtator ka disa opinione mjekēsore që pretendojnë se mund të kemi rikthim të një vale të dytë të pandemisë, gjë që unë personalisht nuk e besoj, po edhe nēse është kështu, kjo nuk domethënë që të rrimë e të flemē derisa virusi të largohet fare e më pastaj të fillojmë punën seriozisht, se po shkoi puna kështu, shumë shpejt do të ketë një valë varfërie aq të madhe sa do të duhet me breza të kurohet. Pavarsisht që zgjedhjet janë afër, pavarsisht që do të fitojmë e do të ndryshojmë këtë gjendje, çdo ditë është e vlefshme që populli të marrë frymë dhe t’i dalë sa më shpejt hallit në krye!
Sepse ka një shifër që po shkon gjithnjë në zbritje, dhe kjo ēshtë sasia e të ardhurave në xhepat e njerëzëve të zakonshëm, dhe ky është një indeks i qartë i gjendjes aktuale në vend. Barometri i shoqërisë nuk është asnjë opinion apo përshtypje e ndonjë funksionari. Pasqyra reale janë qindra e mijëra të papunët të cilët nuk kanë asnjë të ardhur, të cilët nuk kanë frikë koronavirusin, por varfërinë ekstreme ku paraliza e shtetit po i zhyt në emër të pseudo-luftës kundër pandemisë!