Starmer mund të përdor pushtetet e Henry VIII për rikthim në BE pa referendum

Mbretëria e Bashkuar mund të rikthehet de facto në tregun e përbashkët evropian pa pasur nevojë për referendum dhe as për një votim në parlament, duke përdorur një normë shumë të vjetër që teorikisht i lejon ekzekutivit të marrë vendime në interes të kombit. Këtë e zbulon The Guardian në një ekskluzive që citon burime anonime qeveritare, sipas të cilave nisma do të bëhej në kuadër të ‘rialinimit dinamik’ me rregullat e Bashkimit Evropian për tregtinë, aktualisht në negociata me Brukselin, dhe do t’i sillte ekonomisë britanike ‘miliarda paund’.

Sipas burimeve, kjo lëvizje do të ishte e mundur falë të ashtuquajturave ‘pushtetet e Henry VIII’, të emërtuara nga një ligj i vitit 1539 që i lejonte monarkut të qeveriste me dekret. Ky mekanizëm, ende në fuqi, i jep qeverisë mundësinë të miratojë ligje pa shqyrtim të plotë parlamentar.