Standard i dyfishtë, Mickoski në Shkup kërkonte respektimin e ligjit, në Shqipëri në prezencë të tij nuk u ekzekutua himni shqiptar

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë dje në një aktivitet festiv në Pustec, ku gjatë ceremonisë zyrtare u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut. Mediat atje, raportojnë se edhe pse aktiviteti u zhvillua në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në të morën pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, përfshirë kryetarin e Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, himni kombëtar shqiptar nuk u ekzekutua, transmeton Portalb.mk.

Në ceremoninë e djeshme ishte i pranishëm edhe ish-kryetari i Bashkisë Pustec, Edmond Themelko, i cili ishte pjesë e organizimit të aktivitetit.

Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që një aktivitet ku merr pjesë kryeministri i Maqedonisë zhvillohet pa respektuar këtë element të protokollit shtetëror.

E njëjta sitiatë ka ndodhur edhe një vit më parë në po të njëjtin aktivitet. Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, sqaroi publikisht se ky aktivitet nuk u organizua nga institucioni që ai drejton, por nga shoqata “VMRO Shqipëri” e cila ka në krye ish-kryetarin e kësaj bashkie, Edmond Themelko.

Kolefski deklaroi se u kishte kërkuar paraprakisht organizatorëve zbatimin e rregullave protokollare për përfshirjen e të dy himneve, dhe se ndihej i keqardhur për situatën e krijuar.

Kujtojmë se në maj të këtij viti, duke komentuar protestat e studentëve shqiptarë në Shkup për të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, kryeministri deklaroi se protestuesit kishin shkelur, sipas tij, Ligjin për Flamujt, Ligjin për Himnin Kombëtar dhe Kushtetutën.