Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj heshtjes së koalicionit VLEN, duke theksuar se kanë kaluar 24 orë nga kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa nga VLEN ende nuk ka asnjë qëndrim publik, përcjell Zhurnal.mk.
Nga BDI akuzojnë se VLEN po shmang përballjen me qytetarët dhe testimin e mbështetjes së tyre përmes zgjedhjeve.
“Kaluan 24 orë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VLEN ende asnjë fjalë. Ata që e shkelën legjitimitetin, tani fshihen sapo kërkohet që të maten para qytetarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas partisë opozitare, VLEN është i vetëdijshëm se nuk gëzon mbështetjen e shumicës së votuesve shqiptarë dhe për këtë arsye, siç pretendojnë nga BDI, po hesht ndaj kërkesës për zgjedhje të parakohshme.
“VLEN e di se nuk e ka pasur dhe nuk e ka mbështetjen e shqiptarëve. E di se pushteti i tij mbështetet mbi mëshirën e padroneve politikë dhe mbi shkeljen e votës së lirë”, theksohet më tej në reagim.
Nga BDI i bëjnë thirrje VLEN-it që, nëse kanë marrë miratimin nga partnerët e tyre qeveritarë, të pranojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Nëse kanë marrë leje, le t’i pranojnë zgjedhjet e parakohshme. Heshtja e tyre tashmë është përgjigje: kanë frikë nga qytetarët dhe nga verdikti që i pret”, përfundon reagimi i BDI-së. përcjell Zhurnal.mk .



