Sportistët ankohen se nuk janë shtyrë Lojërat Olimpike, IOC-ja insiston se nuk ka zgjidhje ideale

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka paralajmëruar se asnjë opsion nuk do të jetë ideal në përgatitjet për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, pasi është përballur me kritika se po vë në rrezik sportistët.

Ngjarja e madhe sportive do të nisë më 24 korrik, përkundër anulimeve të shumta të ngjarjeve sportive si rezultat i përhapjes së koronavirusit.

Kampionia olimpike Katerina Stefanidi ka thënë se IOC-ja po rrezikon shëndetin e gjithë sportistëve. Ndërkohë sportistja britanike Katarina Johnson-Thompson ka thënë se stërvitja është bërë e pamundur.

IOC-ja u është përgjigjur këtyre kritikave të shumta.

“Është një situatë e jashtëzakonshme që kërkon zgjidhje të jashtëzakonshme. IOC-ja është e vendosur të gjej zgjidhjen që ndikon më së paku negativisht te sportistët, ndërsa do të mbrojë integritetin e garës dhe shëndetin e sportistëve. Asnjë zgjidhje nuk do të jetë ideale në këtë situatë dhe kjo është arsyeja pse po llogarisim në përgjegjësinë dhe solidaritetin e sportistëve”, është thënë në komunikatë të IOC-së, transmeton Koha.net.

Atletja greke Stefanidi, që fitoi të artën në kërcim me purtek në “Rio 2016”, ka thënë se gjithë sportistëve po u rrezikohet shëndeti.

“Nuk ka të bëjë me atë se si do të jenë gjërat pas katër muajve. Ka të bëjë me atë se si janë gjërat tash. IOC-ja dëshiron që ne të rrezikojmë shëndetin tonë, shëndetin e familjes sonë dhe të publikut, duke stërvitur çdo ditë. Po na rrezikoni tash, sot, e jo pas katër muajve”, ka thënë Stefanidi.

Hayley Wickenheiser, anëtare e IOC-së, ka thënë se vendimi i IOC-së për të ecur para me bindje aq të madhe është pandjeshmëri dhe papërgjegjësi duke marrë parasysh gjendjen në të cilën gjendet njerëzimi.

Rreth 57 për qind të sportistëve që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike janë kualifikuar tashmë.

IOC-ja të martën u ka kërkuar sportistëve të përgatiten sa më mirë të jetë e mundur.

Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe ka insistuar se Lojërat Olimpike do të organizohen sipas orarit të paraparë.

Por, ngjarjet, përfshirë edhe dorëzimi i pishtarit olimpik nga Athina kanë hasur në pengesë.