Hudson-Odoi po bën përparim të madh në rikuperimin nga koronavirusi

Sulmuesi anësor i Chelseat, Callum Hudson-Odoi është duke bërë përparim të madh në rikuperimin e tij nga koronavirusi.

Këtë e ka bërë të ditur trajneri i Chelseat, Frank Lampard për faqen zyrtare të klubit, transmeton Koha.net.

Hudson-Odoi 19-vjeçar javën e kaluar u bë lojtari i parë i Premier Leagues së Anglisë që rezultoi pozitiv me koronavirus. Ai doli pozitiv javën e kaluar, ndërsa ekipi i parë i Chelseat dhe stafi i trajnerëve janë izoluar si masë parandaluese.

“Jam i lumtur të them se në rastin e Callumit, ai ka bërë përparim të madh dhe gati është duke u ndjerë si vetvetja, që është lajmi që duam të dëgjojmë të gjithë”, ka thënë Lampard. “Jam i vetëdijshëm se jo të gjithë mund apo do të rikuperohen nga ky virus. Kështu që i bëjë thirrje futbollit dhe komunitetit sportiv të vazhdojnë të veprojnë me përgjegjësi dhe të shikojnë për shëndetin e tjerëve”.

Chelsea të mërkurën ka njoftuar po ashtu se hoteli i klubit Millennium është vënë në dispozicion për të ofruar akomodim për stafin e Shërbimit Nacional të Shëndetësisë (NHS) që po lufton pandeminë.