Sportingu iu zvogëlon pagat lojtarëve për 40 për qind

Lojtarëve të klubit të elitës së futbollit në Portugali, Sporting Lisbonës, do t’u zvogëlohen pagat për 40 për qind gjatë tre muajve të ardhshëm, shkruan agjencia portugeze e lajmeve “Lusa”, transmeton Koha.net.

Klubi ka marrë këtë vendim në tentim për të ulur humbjet financiare që i janë shkaktuar nga pezullimi për shkak të koronavirusit.

Lusa po ashtu ka raportuar se bordi i drejtorëve të Sportingut do të ketë një ulje page prej 50 për qind.

Sportingu është klubi i parë, nga treshja e madhe e Portugalisë në futboll, që ka njoftuar për ulje të pagës. FIFA i ka bërë thirrje klubeve në mbarë botën të shqyrtojnë reduktimet e pagave në mënyrë që të mbrojnë financat.

Porto dhe Benfica po shqyrtojnë reduktime të ngjashme.

Gjitha ndeshjet në Primeira Liga të Portugalisë janë pezulluar më 12 mars. Deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe dhjetë ndeshje.