Specialja mund të zhbëhet, OVL-UÇK ka ftuar për ndihmë ekspertë amerikanë për shfuqizimin e saj

Në vitin 2018, ishte iniciuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës një seancë e jashtëzakonshme ku mendohej të shfuqizohej kjo gjykatë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, shkruan lajmi.net.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shtetet aleate të Kosovës e dënuan këtë nismë dhe nuk lejuan që një gjë e tillë të ndodhë.

Por, me ardhjen e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes në krye të shtetit, OVL e UÇK-së kishte mbështetur besimet e saj mbi liderin e Vetëvendosjes për shfuqizimin e kësaj gjykate.

Kurti, i cili ishte kundër ngritje së kësaj gjykate që nga ardhja në postin e kryeministrit nuk është deklaruar rreth kësaj çështje.

Nga OVL e UÇK-së për lajmi.net kanë thënë se kjo gjykatë duhet të shfuqizohet sa më shpejtë që është e mundur sepse sipas tyre, vepron në mënyrë etnike, raciste e politike.

Nasim Haradinaj, nënkryetar i kësaj organizate është shprehur se duhet të zbulohen të gjitha krimet, por jo në mënyrë të një anëshme.

“Qëndrimi i OVL e UÇK-së është se në këtë formë që është ngritur kjo Gjykatë dhe në mënyrën si funksionon duhet sa më shpejtë të ndërprehet, mirëpo OVL nuk është kundër zbulimit të krimeve por është kundër veprimit të Gjykatës në mënyrë etnike, raciste por edhe politike. Ne nuk mund ta barazojmë kriminelin me viktimën. Ne e dimë kush ka bërë krime sipas resurseve që ka pasë. Ne kemi pasë luftë mbrojtëse. Duhet të zbulohen të gjita krimet, nga të gjitha palët. Përfshirë edhe pakicat në Kosovë sepse disa nga pakicat kanë bashkëpunuar me serbët, disa janë bashkuar me UÇK-në. Të gjitha krimet që janë bërë, jemi për zbulim. Forma e ngritjes, ka qenë e padrejtë dhe po vazhdon të jetë e padrejtë nga mënyra se si vepron. Ne do të bëjmë çmos që kësaj gjykate të mos i vazhdohet mandati”, tha Haradinaj për lajmi.net.

Më tutje, Haradinaj ka zbuluar për lajmi.net se kanë kërkuar si Organizatë e Veteranëve të Luftës ndihmë për shfuqizimin e kësaj gjykate nga ekspertë amerikanë të drejtësisë.

Kongresistë amerikanë, ish-drejtorë të Inteligjencës amerikane e avokatë të njohur do të jenë pjesë e ekipes së kontaktuar nga OVL e UÇK-së.

“OVL e UÇK-së ka marrë një iniciativë para disa ditësh. Kemi ftuar disa kongresistë amerikanë, disa këshilltarë të lartë të Jurisprudencës amerikane, disa prej tyre drejtorë të Agjencionit të Inteligjencës Amerikane që tani janë këshilltarë të drejtësisë, disa avokatë të zotë që ju kemi kërkuar ndihmë të na ndihmojnë sepse po bëhet fushatë e egër ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, tha Haradinaj për lajmi.net.

Haradinaj më tutje është shprehur se pret nga ekspertët amerikanë që të ndihmojnë në shfuqizimin e Gjykatës që ai e konsideron si raciste dhe të një-anëshme.

“Shpresojmë që së shpejti do të na përgjigjen. Ne nuk kemi mjete financiare por kemi kontaktuar edhe me komunitetin amerikan, shqiptarë dhe na kanë premtuar që nëse ata pranojnë me ardhë do t’ua heqin shpenzimet e udhëtimit dhe të tjera dhe ne së shpejti do të thërrasim konferencë rreth këtij procesi që të bëhet ose anulimi ose futja e ndonjë akti nënligjor në këtë gjykatë që të shikohen të gjithë”, tha Haradinaj për lajmi.net.

Krejt në fund, Haradinaj është shprehur se beson tek ekspertët amerikanë, njëlloj siç ata sipas tij besojnë se OVL e UÇK-së ka të drejtë në raport me Gjykatën Speciale.

“Caku ynë është që në këtë formë të zhbëhet si Gjykatë me njerëz të zotë që janë ekspertë amerikanë. Do të kemi njerëz që kanë qenë në krye të inteligjencës amerikane dhe tani janë këshilltar dhe besojmë që do të na ndihmojnë dhe ata besojnë se kemi të drejtë si OVL e UÇK-së. Besoj që së shpejti do të na përgjigjen”, tha Haradinaj.

E avokati i akredituar nga Specialja, Teki Bokshi për lajmi.net ka thënë se është e mundur juridikisht të ndodhë shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

“Mund të ndërrohet ligji krejtësisht sepse parlamenti i Kosovës e ka sjellur atë ligj. Megjithëse sa ka fuqi dhe mundësi politike të ndodh, mirëpo atë ligj që e ka sjellur Kosova në çdo moment teorikisht mund të ndryshohet, të revokohet shfuqizohet”, tha Bokshi për lajmi.net.

Më tutje, Bokshi është shprehur se me shumicën e dyfishtë që nënkupton edhe 2/3 e pakicave, mund të ndryshohet ligji dhe të mos i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale.

“Juridikisht ka mundësi edhe me iu vazhdu mandati edhe me u tërhekë krejt ligji. Këta munden si çdo ligj tjetër, duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta, duhet të jetë me shumicën e dyfishtë”, tha Bokshi për lajmi.net.

Në anën tjetër, presidenti Thaçi në një letër drejtuar sekretarit amerikan të shtetit, Michael Richard Pompeo kohë më parë i ka kërkuar atij që kjo gjykatë të mos jetë një-etnike.

“Është zhgënjyes fakti që Zyra e Prokurorit Special ka dedikuar burimet e veta të shumta për ta hetuar vetëm një grup etnik, pra vetëm kundër shqiptarëve të Kosovës, gjë që dëmton në themel kredibilitetin dhe legjitimitetin e procesit”, ka shkruar Thaçi në letrën dërguar Pompeos.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Kuvendit të Kosovës karshi Gjykatës Speciale gjatë këtij viti ku edhe do të jetë në kuvend për votim.

Kjo gjykatë deri më tani ka ftuar një numër të madh të ish-ushtarëve të UÇK-së ndër ta edhe figura të larta udhëheqëse të UÇK-së si ish-kryeministri Ramush Haradinaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa – Remi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Ramiz Lladrovci, Jakup Krasniqi e të tjerë.