Spasovski: Përmes dialogut dhe procesit inkluziv deri në zgjidhje me interes për gjykatësit dhe gjyqësorin

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, sot priti delegacion nga Shoqata e gjykatësve të udhëhequr nga kryetari i Shoqatës, Xhemali Saiti. Në takim mori pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska.

Kryeministri, siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në dialogun me Shoqatat e gjykatësve deri në arritjen e qëllimit përfundimtar – përmbushjen e kërkesave të tyre mes të tjerash rritje të koeficientit të pagave të gjykatësve.

“Ky proces duhet të udhëhiqet nëpërmjet dialogut dhe partneritetit. Në bazë të propozimit tuaj për rritjen e pagave, duhet të bëhet edhe analizë në Ministrinë e Financave dhe të vërtetohet dinamika e përgatitjes së zgjidhjes ligjore për këto kërkesa,” iu drejtua Spasovski gjykatësve.

Kryetari i Shoqatës së gjykatësve, Xhemali Saiti shprehu kënaqësinë nga rrjedha e dialogut me Qeverinë dhe nga procesi inkluziv i cili mundëson zgjidhjen e këtyre çështjeve nga interesi i gjykatësve dhe gjyqësorit.

Përfaqësuesit e Shoqatës theksuan se vazhdojnë bisedimet me Qeverinë dhe është vërejtur përparim për të gjitha çështjet e hapura. Bisedimet për rritjen e koeficientit të pagave vazhdojnë dhe është vërtetuar se për këtë çështje tashmë është formuar grup pune.