Spasovski: Ne si rajon i takojmë BE-së prandaj duhet të na pranojnë

“Ne si rajon i takojmë Bashkimit Evropian”, ka thënë Ministri për Punë të Brendshme në një intervistë për gazetën greke “Ta Nea” në të cilën ka folur për bashkëpunimin me Greqinë, çështjet e sigurisë rajonale, por edhe perspektivën evropiane të vendit.

Intervista e titulluar “Bashkëpunimi dypalësh për çështje të sigurisë” vjen gjatë vizitës së Spasovskit në Greqi, si pjesëmarrës në Konferencën Ministrore në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore dhe takimit me homologun e tij grek Takis Theodorikakos.

Ministri tha se në rrethanat aktuale, anëtarësimi në BE është i rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin.

“Bashkimi Europian duhet të pranojë Shqipërinë dhe Maqedoninë si pjesë të strategjisë së tij dhe jo si përgjigje ndaj ndonjë politike, sepse ne si rajon i përkasim BE-së”, u shpreh Spasovski.

Ndër të tjera ministri Spasovski dha mesazhin se forcimi i bashkëpunimit mes Shkupit dhe Athinës duhet të ekzistoj në të gjitha fushat, përfshirë sigurinë dhe stabilitetin.

“Krimi i organizuar ndërkombëtar, terrorizmi, migrimi i paligjshëm janë sfida që prekin jo vetëm vendet tona, por edhe vendet në të gjithë rajonin dhe Evropën. Me homologun, Theodorikakos diskutuam dhe dy marrëveshje të rëndësishme në këtë aspekt. Njëra për bashkëpunimin policor në luftën kundër krimit të organizuar dhe tjetra për një marrëveshje ripranimi, ne kemi një vlerësim të përbashkët se nuk ka asnjë shenjë të prishjes së paqes në rajon”, deklaroi Spasovski.

Ai thekson se rajoni ynë është i një rëndësie të veçantë strategjike, që është një avantazh, por “na sjell shumë sfida” dhe thekson se çdo vend duhet të angazhohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit për qytetarët e tij.

Duke iu referuar çështjes së migrimit ilegal, Spasovski theksoi se aktualisht ka një rënie të fluksit në të dyja vendet dhe theksoi se lufta në Ukrainë detyroi shumë njerëz të largohen nga vendi, çështje që siç tha ai është ngritur në takimin e djeshëm ministror. Në takim, të gjitha vendet pjesëmarrëse ranë dakord se ishin të gatshme të pranonin refugjatë nga Ukraina në territorin e tyre.