2020-ta pritet ta bëjë realitet anëtarësimin e plot-fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në NATO. Megjithatë deri në rrumbullakimin e së njëjtës mbeten edhe dy hapa të rëndësishëm, edhe atë: ratifikimi i Protokollit për anëtarësim nga ana e Parlamentit të Spanjës dhe ratifikimi i Marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim nga Kuvendi i Shkupit. Nënshkrimi i Protokollit nga Parlamenti spanjoll duhet ta presë normalizimin e situatës politike në Madrid, respektivisht fillimin me punë të institucioneve të atjeshme shtetërore. Gjithsesi votimi i sotëm i Qeverisë së re spanjolle, ngjalli shpresat se ratifikimi i Protokollit nga Madridi mund të ndodhë para shpërbërjes së Kuvendit të Shkupit në mes të shkurtit. Mandatari socialist, Pedro Sançez pas dështimit të së shtunës, pati sukses në votimin e dytë për të formuar Qeverinë e re të koalicionit të majtë. Me mbështetjen për qeverinë e re, Sançez zhbllokoi krizën mbi 1 vjeçare që e shkaktoi pamundësia për të formuar koalicion qeverisës edhe përskaj dy raundeve zgjedhore.
Votat në favor të kandidatit janë 167, vota kundër kandidatit 165, të përmbajtur 18. Zonja dhe zotërinj është arritur shumica e thjeshtë e numrit të deputetëve, duke ia dhënë besimin kandidatit, Pedro Sançez.
Por, në rast se Spanja nuk arrin që ta ratifikojë Protokollin para shpërbërjes së Kuvendit të Shkupit, do të vijë në shprehje nisma e Qeverisë për ratifikim të parakohshëm, respektivisht të kushtëzuar të Marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim në NATO. Me qëllim që të mos bllokohet integrimi i plotë i vendit në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike në botë, në ditët e fundit të saj Qeveria kishte propozuar miratim të Marrëveshjes në Kuvendin e Shkupit, por depozitimin në Uashington pas ratifikimit në Spanjë dhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes pasi e njëjta të botohet në Gazetën Zyrtare. Megjithatë, nga Kuvendi i Shkupit deri tani nuk ka asnjë informatë nëse dhe kur do të vihet në rend dite nisma e Qeverisë./Alsat