Sot shpallet aktgjykimi për të akuzuarit në rastin “Reket”

Sot shpallet aktgjykimi për të akuzuarit në rastin “Reket”Alsat2020-06-18T08:19:26+02:00
Bojan Jovanovski, i njohur si Boki 13, dhe ish kryeprokurorja speciale Katica Janeva, sot do të mësojnë nëse dhe sa vjet burg do të marrin për rastin “Reket”. Gjykata Penale do ta shpall aktgjykimin për ta, ndërsa akuzohen për pastrim parash dhe marrje shpërblime për ndikim të paligjshëm të Boki 13, dhe abuzim të detyrës nga Janeva si kryeprokurore e PSP-së. Të dyja veprat penale të Boki 13, sipas Kodit Penal, veç e veç i sjellin atij nga një deri në dhjetë vjet burg.

Ndërsa Janevës të paktën tre vjet. Sipas aktakuzës, Boki 13 ka ndikuar te ish kryeprokurorja e PSP-së që biznesmenit Orce Kamçev, i dyshuar në rastin “Perandoria”, t’i zëvendësohet paraburgimi me arrest shtëpiak për çka ata kishin marrë shpërblim prej 1.5 milion euro nga Kamçevi. Janeva kishte marrë divan dy-vendësh, tre vendësh dhe një kolltuk me vlerë prej 5,000 euro dhe 50,000 euro para. Prokuroria gjithashtu gjatë gjykimit paraqiti pamjet ku Boki 13 dhe Zoran Milevski Kiçeec nga shtëpia e Kamçevit kishin marrë një çantë Louis Vitton, në të cilën pretendohej se kishte një milion euro. Por kjo u mohua nga të dy të akuzuarit.

Në mbrojtje të saj, Janeva tha që në atë kohë në PSP kishin vendosur t’i lirojnë të gjithë të dyshuarit në arrest shtëpiak para vitit të ri 2019, që i kishte liruar Gjykata Supreme, jo PSP. Mobiljet i ka blerë përmes Bokit, për çka i ka dhënë para. Boki 13, nga ana tjetër, pretendoi se ai nuk e dinte se çfarë kishte në çantën “Louis Vitton”, dhe në takimin e atëhershëm te Kamçevi, nuk ishte biseduar për para. Ai pohonte para gjykatës se nuk ka mundur të ndikojë te Janeva dhe PSP. Në rastin “Reket” vetëm Zoran Milevski – Kiçeec u deklarua fajtor dhe mori tre vjet burg. Ai e apeloi aktgjykimin para Gjykatës së Apelit.

Aktgjykimi sot do të shpallet në Gjykatën Supreme. Kjo është me kërkesë të gazetarëve sepse pritet të ketë mbulim të madh mediatik, ndërsa kushte për plotësimin e rekomandimeve për mbajtjen e distancës ka pikërisht në Gjykatën Supreme.