Sot mblidhet KSI, shqyrtohet gjendja me virus në Maqedoninë e Veriut

Komisioni për Sëmundje Infektive sot do të mbajë takim në të cilin, siç paralajmëroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, do të dëgjohen propozimet dhe shqyrtimet pas analizave të fundit për gjendjen me Kovid-19 në shtet.

“Gjendja epidemiologjike në vend po shënon rritje të rasteve të reja të diagnostikuara me Kovid-19 duke filluar në periudhën prej para dy javësh. Analizat tregojnë se përqindja e rasteve të reja të diagnostikuara të javës së kaluar në raport me atë paraprake është rritur për 25 për qind. Po rritet RO faktori i bartjes prej 1,05 në 1,14, që është indikator i qartë se tani do të ketë ndryshim të gjendjes relativisht stabile epidemiologjike që e patëm në periudhën e gjatë të kaluar kohore”, theksoi Filipçe.

Sipas tij, masa të reja kufizuese nuk nevojiten, mjafton të respektohen protokollet dhe të rritet përqindja e vaksinimit.

“Me anëtarët e Komisionit jemi në komunikim të vazhdueshëm edhe në periudhën derisa gjendja në mënyrë të konsiderueshme ishte e qetë. Përveç shkëmbim të informacioneve, ashtu edhe është vlerësuar edhe nevoja për takim zyrtar. Të premten do të ketë takim në përputhje me analizat e reja. Lidhur me masat, do t’i dëgjojmë propozimet dhe shqyrtimet. Konsideroj se duhet të vazhdohen masat parandaluese dhe të rritte përqindja e vaksinimit. Sot u dërguam letër të gjithë mjekëve të familjes t’i thërrasin pacientët e tyre të pavaksinuar”, tha Filipçe.

Një ndër kriteret kryesore për vendosjen e masave të reja do të jetë rreziku në kapacitetet spitalore që deri më tani nuk është evidentuar.

“Është kryesore shtrirja e vaksinimit. Kjo dhe respektimi i masave dhe protokolleve parandaluese, janë dalja nga kriza”, përsëriti Filipçe.Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 432 raste të reja me Kovid-19 nga 2.663 teste të bëra, janë shëruar 448 pacientë ndërsa kanë ndërruar jetë 13 persona, njofton Ministria e Shëndetësisë.