Sot mbahet rikonstruimi për rastin “Naser Eshtrefi”

Në Gjorçe Petrov, sot do të mbahet rikonstruimi i ngjarjes së vrasjes së maturantit Angjel Petkovski, për të cilin i akuzuar është Naser Eshtrefi. Ngjarja ka ndodhur më 19 maj të vitit 2014-të, njofton Portalb.mk.

Avokatja Ivanka Jakimovska për Portalb.mk konfirmoi se sot palët do të dalin në terren për ta kryer rikonstruimin e ngjarjes.

“Sot është rikonstruimi dhe tani po dalim në terren”, tha shkurt Jakimovska.

Rikonstruimi i ngjarjes është një prej arsyeve pse Gjykata Supreme i shfuqizoi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë dhe lëndën e ktheu në rigjykim.

Rikonstruimi është mjet juridik, nëpërmjet të cilës synohet të arrihet deri te gjendja faktike, nëpërmjet simulimit të ngjarjes, në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

Pra, palët, në këtë rast, gjykatësit, prokurori, i akuzuari me avokatin e tij, të dëmtuarit me avokatin e tyre, por edhe ekspertë të ndryshëm, dalin në terren dhe bëjnë verifikimin e versioneve të ngjarjeve, si dhe me këtë konstatohet se cili version përputhet me gjendjen faktike.

Në këtë rast, mund të stimulohet ngjarja se si ka ndodhur, të matet koha e ngjarjes, pozitat se ku kanë qenë pjesëmarrësit, por edhe largësia e tyre.

Sipas literaturës juridike, me rikonstruim mund të kontrollohen rezultatet e marra nga provat tjera, të mënjanohen kontradiktat, të verifikohen gjetjet dhe mendimet e ekspertizave.

Ndryshe, Prokuroria vazhdon ta akuzojë Naserin sipas të njëjtave pretendime, gjegjësisht sipas të cilit dhe u dënua me 14 vjet burg për vrasje me paramendim, ndërkaq mbrojtja thotë se vepra është kryer pa paramendim, në afekt dhe në mbrojtje të nevojshme. Naseri tha se nuk ndjehet fajtor.

Asokohe, vrasja e 20 vjeçarit, ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët e kësaj lagjeje, të cilët e vandalizuan disa qindra banorë të së njëjtës lagje, për shkak të vrasjes së maturantit. Të njëjtët kanë mbajtur protesta, ku i kanë bllokuar rrugët dhe kanë shkaktuar dëme në disa lokale, pronar të së cilave kanë qenë shqiptarë. Dëmet nga vandalizmi i protestave në Gjorçe kanë mbetur në barrën e pronarëve.