Sot mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut

Sot në Maqedoninë e Veriut mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve lokale në të cilat qytetarët e vendit do të zgjedhin udhëheqësit e 80 komunave dhe anëtarët e këshillave komunal, si dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të qytetit, raporton SHENJA.

Votimi do të fillojë në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 19:00.

Të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.824.864 persona të cilët do të mund të zgjedhin midis 299 listave të kryetarëve të komunave dhe 572 l listave të këshilltarëve. Në këto zgjedhje janë paraqitur një numër i madh i kandidatëve të pavarur për kryetar komune apo për anëtarë të këshillave komunal, të përkrahur nga shoqata të qytetarëve dhe organizata të shoqërisë civsile.

Në Zgjedhjet Lokale 2021, për herë të parë futet pajisja për identifikimin biometrik të votuesve në procedurën e votimit. Sipas KSHZ-së, kjo duhet t’i përmirësojë zgjedhjet në tërësi dhe të sigurojë barazi të votuesve bazuar në parimin një votues-një votë.

Për shkak të pandemisë me koronavirus, votimi edhe në këto zgjedhje, si dhe ato të mëparshmet, do të bëhet sipas protokolleve të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut, teksa zgjedhjet e para lokale u mbajtën në vitin 1990. /SHENJA/